Përrallë me të ëmën e Zeqos e me të atin e Zenit
Flamuri ka qenë ca i shqetësuar këto ditë fushate. Burimet e tij të informacionit pranë diplomatëve të huaj i kanë dhënë sinjale se njëri prej ambasadorëve po bëhet gati prapë të tregojë një përrallë.
- Po që s’m’u nda ky me këto përrallat, ka vendosur të më nxijë jetën dhe mua, po dhe atij burrit. Kushedi ç’përrallë ka shpikur kësaj radhe, do na bëjë fare qesharakë, se s’mund të bëjmë gjithnjë sikur s’kuptojmë dreqi ta marrë.
Thirri me urgjencë atë djalin nga Kukësi që punon në ambasadë, dhe që i ka bërë ca ndere, për të marrë vesh se ç’përrallë po gatuhej kësaj radhe.
- Mor po diçka më ka zënë veshi, po gjë të sigurt s’di, informacion i ardhur gojë më gojë është dhe këta amerikanët i përhapin dhe vetë lajmet e rreme, hajde merri vesh.
- Nejse, nejse, ti i ke dëgjuar, pa s’kemi ç’bëjmë, ai po ka vendosur ta thotë, do ta thotë, s’e ndalim dot.
- Kam dëgjuar që po bëhet gati një përrallë me të ëmën e Zeqos.
- Me të ëmën e Zeqos? Po ku do dalë ky me këtë, se më nxori mendsh or mixhë?
- Po është një variant i ri i asaj përrallës së vjetër, d.m.th., variant i ripunuar apo version i ri, siç e quajnë ata.
- Po ç’thotë? ǒthotë? - e pyeti Flamuri me padurim.
- Po ja, e ëma e Zeqos sikur kish rrëshqitur ca nga mosha dhe vendosi t’i bënte dhe Zeqon dhe të shoqen me turp dhe hipi majë një thane që kishin në oborr e bërtiste me të madhe, sa i hante fyti: “O fshat, e dini sa me fat jeni që më keni mua? Unë ju futa në NATO, ju futa në BE, do t’ju fus dhe në dh酔
Zeqoja me të shoqen në rrëzë të thanës çirrnin faqet.
- Po zbrit moj mama, ç’thua kështu, këto i ka bërë qeveria.
- Nuk zbres. Më marrshi të keqen. Unë i kam bërë të gjitha, ç’qeveri, unë jam vetë qeveria. Pse Flamuri me Aldo Bumçin janë qeveria?
- Ashtu, edhe mua më përmend kjo përralla, - tundi kokën Flamuri. - Po më tutje ç’thotë?
- Po ja, fliste për arsimtarët e fshatit që kjo plaka iu kish rritur rrogën 200%, për atë infermieren që bën çorape gjithë ditën dhe merr rrogë 300%, fliste për pensionet e fshatit, të qytetit, për rritjen ekonomike, për mungesën e krizës, për ato që jep reklamë televizori, kush i mban mend të gjitha. Hë, se u kujtova, u tha dhe qe edhe rrugën Durrës-Kukës e kishin prej saj dhuratë.
- Po pastaj, po pastaj?
- Po ja, u tha fshatarëve: “Kush ua bëri lopët me barrë që u bëtë me viça? Kush ua bëri pulave vezën me dy të verdha? Kush ua sjell ajrin, ujin që pini? Kush e rrit barin për lopët?”
- Paska rrjedhur fare kjo plaka!
- Ashtu i tha dhe Zeqoja: “Ke rrjedhur moj mama. ǒi ke gjithë këto që thua? S’e shikon si qeshin me ty fshati.” Dhe vërtet qe mbledhur gjithë fshati. Vetëm mbanin barkun me dorë prej gazit, duartrokisnin, fishkëllenin dhe thoshin: “O ç’u kënaqëm, o ç’u kënaqëm”.
- Po për këta, Delijorgjin, Fahriun, Fazlliçin, tha gjë?
- I përmendi shkaras, po s’e la Zeqoja dhe tha se do t’ia lërë drejtësisë, s’do ta ndikojë në vendime.
- Eh ç’më gjeti me këtë që tregon përralla. Si s’na e hoqën mor aman. Mbeti burri vetëm duke treguar përralla gjithë mandatin.
- Po ti kot mërzitesh, - ia ktheu kuksiani. - Mua s’më duket ndonjë gjë e keqe. Përrallë është fundi i fundit.
- Po pse, s’e di unë që ai do flasë për të ëmën e Zeqos dhe shqiptarët do sjellin në mend të atin e Zenit, se dhe ai këto thotë në çdo fjalim. Jo për gjë, po dhe mua halli i Zeqos më ka zënë. Edhe unë i them atij burrit, zbrit nga thana, po ai nuk lëviz. Vetëm t’ia pres nga fundi.