E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tronditet “topi evropian”, 200 ndeshje të trukuara

 

Leonard Karaj
Rreth 200 ndeshje nga futbolli evropian janë nën hetim për trukim. Lajmi është bërë i ditur nga mediat gjermane, të cilat i referohen një hetimi të nisur nga prokurorët gjermanë.
Së paku tri takime janë nga Liga e Kampionëve, ndërsa 12 të tjera nga Europa League. Deri më tani janë bërë 17 arrestime. UEFA pohon se ky është skandali më i madh që ka goditur ndonjëherë Evropën. Prokurorët gjermanë, të cilët janë duke hetuar korrupsionin në futboll, kanë njoftuar se 15 persona në Gjermani dhe dy në Zvicër janë arrestuar dhe se 200 ndeshje në Evropë janë të përfshira në atë që UEFA e quajti si skandalin më të madh të kurdisjes së ndeshjeve në Evropë. Autoritetet besojnë se kanë arrestuar liderët e një bande, e cila dyshohet për manipulimin e ndeshjeve për përfitim të parave në baste. Asnjë identitet nuk është publikuar, edhe pse thuhet se rreth 200 persona janë të dyshuar për përfshirje. Njoftohet gjithashtu se është trukuar dhe një ndeshje kualifikuese për Kampionatin evropian U-21, teksa hetimet janë shtrirë edhe në Angli, Spanjë, Itali dhe Francë. Ndeshjet e dyshuara në Gjermani janë luajtur në divizionin e dytë ose më poshtë. Të tjera shtete të përfshira janë Belgjika, Zvicra, Kroacia, Sllovenia, Turqia, Hungaria, Bosnja dhe Austria. Mediat gjermane kanë njoftuar se dy vëllezër kroatë të dënuar për skandalin e trupimit të ndeshjeve në vitin 2005 në Gjermani janë në mesin e atyre që janë arrestuar. Liderët e bandës dyshohet se u kanë dhënë ryshfet futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë për shitjen e ndeshjeve dhe besohet se kanë përfituar së paku 10 milionë euro. Sipas autoriteteve gjermane, 32 ndeshje janë nën dyshim në Gjermani, përfshirë katër në divizionin e dytë. Të tjerat janë në ndeshjet e ligave të mëposhtme. Në Belgjikë 17 ndeshje nga liga e dytë janë nën dyshim, në Zvicër 22 ndeshje nga liga e dytë, në Kroaci 14 ndeshje nga liga e parë, në Slloveni 7 nga liga e parë, në Turqi 29 ndeshje nga liga e parë, në Hungari 13 ndeshje nga liga e parë, në Bosnje 8 ndeshje nga liga e parë dhe në Austri 11 ndeshje nga liga e parë dhe e dytë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›