E Diel, 1 Nëntor 2026

I “pushtuan” pronën, qëllon me sëpatë tre veta nga një familje

 

TIRANE - Një konflikt pronësie në fshatin Seferaj të Kavajës, për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi në familje. Tre anëtarë të një familje kanë mbetur të plagosur, nëna, djali dhe nusja e tij, ndërsa autori ka përfunduar në pranga. Sipas burimeve nga policia mësohet se është arrestuar i dyshuari si autor i ngjarjes, Mersin Çapa, 44 vjeç, i cili ka plagosur me sëpatë, Adnant Ajazin, 43 vjeç, Drita Ajazin, 65 vjeçe dhe Luljeta Ajazin, 35 vjeçe. Të plagosurit aktualisht ndodhen në spitalin e Durrësit dhe sipas mjekëve nuk paraqesin rrezik për jetën. Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte në mbrëmje, në fshatin Seferaj, të Komunës Golem. Sipas burimeve nga Policia e Kavajës mësohet se familja Çapa dhe familja Ajazi, prej disa muajsh kishin një konflikt pronësie, për një truall në fshatin Seferaj. Mersin Çapa është takuar me Adnant Ajazin në pronën për të cilin kishte lindur konflikti. Fillimisht debati mes tyre ka nisur me fyerje dhe kërcënime. Çapa kishte një sëpatë me dorë, me të cilën i hakërrehej 43-vjeçarit, duke e kërcënuar se do ta vriste nëse nuk i lironte tokën që ia kishte “pushtuar” padrejtësisht. Teksa kanë dëgjuar debatin dhe kërcënimet me zë të lartë, pranë tyre janë afruar Drita e Luljeta Ajazi, nëna dhe bashkëshortja e Adnant Ajazit. Teksa janë munduar që ta shmangnin 43-vjeçarin nga sherri, debati është ashpërsuar edhe më shumë dhe Mersin Çapa nuk i ka kursyer fyerjet dhe kërcënimet edhe në drejtim të dy grave. Por në një moment Çapa ka ngritur sëpatën dhe ka goditur fillimisht Adnantin, më pas nënën e tij Dritën e në fund e ka mbyllur sulmin e tij me Luljeta Ajazin. Pasi i ka parë të përgjakur të tre, 44-vjeçari Çapa ka nxituar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është denoncuar në polici nga familjarët e të plagosurve, pasi i kanë transportuar me urgjencë në spital. Vetëm disa minuta pas ngjarjes, policia ka mundur të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili është pyetur për rrethanat që e çuan në një krim të trefishtë. Sipas burimeve nga policia, mësohet se gjatë deklarimeve të tij Çapa e ka pranuar autorësinë e plagosjes së tre pjesëtarëve të një familje, duke thënë që ata i kishin zaptuar pronat e tij padrejtësisht dhe nuk pranonin që t’i lironin.               e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›