E Shtunë, 31 Tetor 2026

Renditja e FIFA, Shqipëria bie edhe 1 pozicion

 

Kombëtarja shqiptare vazhdon të humbasë terren në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Për kuqezinjtë nuk ka pasur asnjë lloj efekti barazimi pa gola me Estoninë, pasi kanë humbur edhe një tjetër pozicion në krahasim me muajin e shkuar, duke u renditur në vendin e 98-të. Duhet theksuar se gjatë muajit të fundit Shqipëria ka 7 pikë më pak. Prapa Kombëtares tonë ndodhen skuadra modeste si Armenia e Kongo. Ndërkohë, në krye të klasifikimit, Spanja i ka marrë vendin e parë Brazilit, ndërsa Holanda dhe Italia plotësojnë katërshen e parë. Bie në sy ngritja e Portugalisë me 5 pozicione (5) duke lënë pas Gjermaninë, Francën, Argjentinën, Anglinë dhe Kroacinë.

Bogdani, një rikthim me gol në miqësore
Erjon Bogdani është pranë rikthimit të tij në formën më të mirë. Këtë e konfirmon edhe paraqitja e tij e kënaqshme në takimin e djeshëm miqësor që skuadra e tij, Kievo, ka zhvilluar ndaj ekipit të të rinjve. Kjo ndeshje përfundoi me fitoren 1-0 të skuadrës së të rriturve dhe goli i vetëm i saj mbante pikërisht firmën e bomberit shqiptar. Bogdani prej vetëm dy ditësh ka rifilluar stërvitjen me pjesën tjetër të skuadrës. Shkak për këtë është bërë dëmtimi në mollëz në ndeshjen ndaj Udinezes, e cila e detyroi t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas trajnerit të Kievos, sulmuesi është në formë të mirë, por duhet ende për t’u vlerësuar nëse ai do jetë ndaj Xhenoas apo jo.

Talenti Veseli, i thotë “Po” Kosovës
Federik Veseli dëshiron të luajë për Kosovën. Futbollisti Kampion Bote për U-17 me Zvicrën është me prejardhje nga Prizreni dhe ende nuk ka vendosur se për cilin shtet do të luajë në të ardhmen. “Nuk kam vendosur ende se për cilën përfaqësuese do të luaj, mirëpo janë dy opsione Zvicra ose Kosova. Për të arritur deri te kombëtarja A duhet punë maksimale, besoj se kjo nuk do të mungojë nga ana ime”, ka thënë ai në një intervistë për mediat kosovare. Momentalisht lojtari kosovar luan te Mançester Siti, ekip ky në të cilin u transferua para një viti nga skuadra zvicerane Losana. Pas suksesit në botërorin në Nigeri 17-vjeçari ka marrë shumë oferta nga klubet gjermane dhe ato italiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›