Superliga, Dinamo e Vllaznia, fitore në kahe të kundërta
Luhen sot, 4 ndeshje të javës së 11-të të Superligës ku padyshim vëmendja do të jetë në Tiranë dhe Shkodër. Dinamo kryesuese do të presë Apoloninë e vendit të tretë. Blutë, me një ecuri mjaft pozitive deri tani, do të kërkojnë të ruajnë ritmin, por edhe diferencën prej 5 pikësh me Besën që e ndjek, duke e mbyllur fazën e parë pa asnjë humbje, ndërkohë që fierakët do të kërkojnë të bëjnë autokritikë për zhgënjimet e fundit. Në Shkodër, Vllaznia e problemeve të mëdha në këtë sezon, do të presë Gramozin debutues. Kolonjarët, pasi kanë ngrohur veten me një 3-pikësh ndaj Teutës, duket se shkojnë plot oreks edhe në “Loro Boriçi”. Por, kuqeblutë nuk kanë asnjë komoditet për të toleruar e zhgënjyer pafundësisht, pasi gjenden në vendin e fundit në renditje, si kurrë më parë. Në transfertë do të luajë këtë javë Tirana. Bardheblutë, kampionët në fuqi, do të jenë mysafirë nesër në fushën e Laçit. Besa e vendit të dytë do të luajë derbin me Teutën e Durrësit, në fushën e kësaj të fundit. Ndërkohë, sot do të luhet edhe java e 11-të e Kategorisë së Parë, ku bie në sy kryendeshja Partizani-Lushnja, dy skuadra këto që zbritën nga Superliga edicionin e shkuar. Ndeshja në fjalë do të luhet në “Selman Stermasi” dhe pritet të jetë me shumë interes për të dyja tifozeritë respektive.