E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK-LDK sërish në koalicion, opozita dënon lojën politike

 

Brenda vetëm pak orësh, në Kosovë u shpërbë dhe u rindërtua zyrtarisht koalicioni qeveritar mes LDK-së dhe PDK-së, duke marrë pas komentet për një manovër të shëmtuar politike dhe mungesë serioziteti me publikun.
Sipas opozitës, e gjitha ajo që ndodhi mbrëmjen e së enjtes ishte një lojë politike, e cila do të ketë pasoja të dëmshme për Kosovën dhe qeverisjen aktuale. Madje, AAK propozoi edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të krizës në koalicion. Mbrëmjen e së enjtes, zyrtarë të qeverisë së Kosovës njoftuan se koalicioni LDK-PDK nuk funksionon më dhe se partnerët e rinj të PDK-së në qeverisje do të jenë AKR dhe LDD. Skema e ndërtuar ishte se Hashim Thaçi, lideri i PDK-së do të mbetej kryeministër, Behxhet Pacolli, lideri i AKR-së do të bëhej president dhe Nexhat Daci, lideri i LDD-së do të kthehej në postin e tij të mëparshëm, si kryetar i Parlamentit të Kosovës. Ndërsa disa orë më pas, Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka njoftuar se PDK dhe LDK do ta vazhdonin koalicionin në nivel qendror, deri në zgjedhjet nacionale të vitit 2011. Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, ndonëse ishin përfolur si pjesë të mundshme të një koalicioni të ri me PDK-në, i përgënjeshtrojnë këto njoftime, duke i vlerësuar si lojë politike zhvillimet rreth prishjes së koalicionit. Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së, tha se këto zhvillime janë më shumë presione dhe shantazhe, që partitë në koalicionin qeverisës ia bëjnë njëra-tjetrës në prag të raundit të dytë të votimeve.  Makolli sqaron se lajmi për mundësinë që në një koalicion të ri, Behxhet Pacolli të nominohej për president të Kosovës, më parë ishte publikuar në media, e më pas i ishte kumtuar Pacollit përmes telefonit nga ana e Kryeministrit Hashim Thaçi. “Diku pas mesnate, kryetari Pacolli ka pranuar një telefonatë nga Kryeministri Thaçi, përmes së cilës është njoftuar për mundësinë e prishjes së koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së dhe krijimit të një koalicioni të ri ndërmjet PDK-së, AKR-së dhe LDD-së. Thjesht, të gjitha këto pazare politike në emër të AKR-së, janë bërë pa dijeninë e AKR-së dhe më tepër janë spekulime të këtyre dy partive politike”, shprehet Makolli. Zyrtari i LDK-së, Gani Geci, e përjashton mundësinë që LDD-ja të hyjë në koalicion me PDK-në. Pakënaqësitë me zhvillimet rreth koalicionit qeverisës i kanë shprehur edhe disa zyrtarë të LDK-së. Deputeti Fatmir Rexhepi, gjatë seancës së Kuvendit kërkoi nga kryeministri sqarime. “Unë jam edhe kryeministër dhe mund të jap sqarime”, tha Thaçi, por seanca është ndërprerë nga kryetari i Kuvendit. Rexhepi, tha se Kryeministri Thaçi dhe partia e tij, mbrëmjen e së enjtes, kishin sulmuar rëndë institucionet e Kosovës. “Pse që 12 orë, sipas PDK-së, Kosova ka mbetur pa institucione dhe pse ky diversion u bë mbi institucione në këtë mënyrë?! Cila është ajo parti që thotë se mund të krenohet Kosova me mua, e në realitet ky është një puç që vjen mbi institucionet e shtetit të ri, e shteti i ri nuk meriton këso qeverisjeje”, tha Rexhepi. Zyrtarë të kësaj partie thonë se kjo çështje duhet të kthehet për debat menjëherë pas raundit të dytë të votimeve për zgjedhjet komunale, ku LDK do të vazhdojë koalicionet me parti të tjera.

Pacolli: Koalicioni jo serioz
Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli tha se ideja e një koalicioni të mundshëm midis PDK-së, AKR-së dhe LDD-së, në mënyrë jozyrtare është plasur në opinionin publik. “Madje, ishte diskutuar dhe për ndarje postesh drejtuese. Me përgjegjësi të plotë politike dhe njerëzore e hedh poshtë këtë njoftim. Nuk ka pasur deri me sot ndonjë komunikim zyrtar midis meje dhe zotit Thaçi në lidhje me këtë kinse aleancë. Ndaj e quaj mungesë të thellë etike, e quaj lojë me qytetarin përhapjen e lajmeve të tilla”, thuhet në këtë komunikatë. Pacolli e vlerësoi ngjarjen e së enjtes mbrëma, manovër politike. Ai ka shtuar se AKR vazhdon t’i përmbahet qëndrimit se do të bëjë aleancë vetëm me atë parti që pranon ta zbatojë programin e saj politik. “Nuk kam besim se kjo mund të ndodhë me këtë koalicion, duke parë sesa serioze janë partitë në pushtet me programet qeverisëse, apo me dinjitetin e qytetarit siç ndodhi dje”, ka reaguar Pacolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›