E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjet me ndihmë ekonomike e invalidët, tre muaj pa paga

 PATOS- Rreth 630 familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe 1030 invalidë në Patos protestuan dje në ambientet e bashkisë së këtij qyteti. Shkak është bërë mungesa e pagave që ata duhet të marrin çdo muaj. Invalidët nuk janë paguar prej më shumë se 3 muajsh, ndërsa familjet me ndihmë ekonomike nuk kanë marrë asnjë lekë që prej dy muajsh. Dje ata shkuan në bashkinë e qytetit me shpresën se fondi do të ishte lëvruar, në mënyrë që ata të merrnin shumën e parave para festës së Vitit të Ri. Por përgjigja negative i ka irrituar ata derisa zaptuan sallën e mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Shkak i kësaj situate duket se është ngërçi i krijuar nga ky këshill, për shkak të mosmarrëveshjeve nga ana e këshilltarëve për kreun e këtij këshilli. Pas aleancës së PD-së dhe LSI-së, e djathta mori shumicën e anëtarëve, çka bëri që ata të kërkonin zëvendësimin e kryetarit të këshillit. Për këtë shkak, mbledhja e Këshillit Bashkiak në Patos është shtyrë disa herë, pasi mungojnë këshilltarët. “Nuk duam t’ia dimë nëse paraqiten apo jo anëtarët në mbledhjen e këshillit. Ne kemi të drejtë të kërkojmë paratë që na takojnë me ligj. Kemi fëmijë për të ushqyer. Shteti na trajton me ndihma pasi nuk kemi mundësi të punojmë. Janë shumë invalid këtu që mbajnë sytë nga ato pak lekë, që duhet t’i marrim çdo muaj. Tani ndodh që këshilltarët nuk vijnë, dhe lekët nuk mund të shpërndahen. Protestat tona do të vazhdojnë, madje do ta ngremë zërin edhe më lart, do të shkojmë deri në Tiranë për të kërkuar lekët që janë të fëmijëve tanë”, u shpreh njëri prej invalidëve, i cili ditën e djeshme shpresonte të tërhiqte paratë. Kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli, mbështeti plotësisht shqetësimin e protestuesve. Sipas tij, Këshilli Bashkiak ka disa mbledhje radhazi që dështon për të realizuar vendimmarrjen lidhur me këtë çështje. “Për pagesën e invaliditetit dhe paaftësisë, pengesa vjen nga Ministria e Punës, pasi nuk është dërguar fondi i nevojshëm për këtë kategori. Ndaj, duke parë edhe situatën e krijuar, i bëj thirrje qeverisë të reagojnë dhe të dërgojnë fondin e nevojshëm për të garantuar shpërndarjen e parave,” u shpreh Meli.    m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›