E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiten dokumentet në zyrat e PS, në listë edhe emrat e anëtarëve që punojnë në shtet

 DURRES/ OERD ULQINI Vidhet në mesnatë selia rozë e Durrësit. Keqbërësit, pasi kanë depërtuar pa u vënë re në katin e fundit të godinës, ku ndodhet edhe dega e Partisë socialiste, janë larguar duke marrë me vete një kompjuter portabël, një televizor me ngjyra, CD të ndryshme, si dhe disa dokumente. Kështu kanë deklaruar socialistët e Durrësit përmes një konference për shtyp. Keqbërësit kanë vepruar pa zhurmë, duke thyer rrjetën metalike të derës së jashtme dhe kasafortën, brenda së cilës nuk kanë gjetur para, por vetëm dokumente arkivi. Vetëm pak orë pas ngjarjes, selia rozë e Durrësit e cilësoi vjedhjen si një “agresion të shëmtuar”. Ka qenë deputeti i Durrësit, Gazmir Bizhga, ai që ka reaguar përmes një deklarate për shtyp. Sekretari rajonal i PS-së së Durrësit dhe deputet i Partisë Socialiste nuk e ka përjashtuar dyshimin se vjedhja ka qenë tendencioze. “Ne natyrisht do të presim zbardhjen e plotë të ngjarjes nga policia, e cila duhet të bëjë detyrën për hetimin e plotë dhe kapjen e autorëve të kësaj grabitjeje”, tha Bizhga. Sipas deklarimeve të partisë opozitare, vjedhja dyshohet se ka prapavijë politike, pasi në kompjuter ishin të shënuar emrat e simpatizantëve rozë në qytetin bregdetar. “Shumë prej tyre janë simpatizantë socialistë, por nuk duan të identifikohen publikisht. Ka biznesmenë dhe të punësuar në shtet, ata të cilët ishin regjistruar në kompjuterët e PS-së së Durrësit. Kjo vjedhje zbardh për të interesuarit listën e simpatizantëve, që nuk kanë tesera, por që kanë dhënë kontribute të vazhdueshme për të majtën”, nënvizuan për ngjarjen burime të kryesisë lokale të PS-së. Sipas socialistëve, dëmi i vjedhjes nuk është aspak vlera e kompjuterit lap-top dhe e TV me ngjyra, por vetëm marrja nga grabitësit e listës sekrete. “Në qytetin e Durrësit PS-ja ka afro 2 mijë të regjistruar, por lista e emrave në arkivë e tejkalonte dukshëm këtë shifër”, thanë burimet nga PS. Ndërkohë që hetuesit e policisë së shtetit, ende nuk e kanë dhënë versionin e tyre mbi ngjarjen, nëse ajo është një vjedhje ordinere apo me prapavijë politike. Policia është treguar e matur, duke shmangur komentet ndërkohë që po punon intensivisht duke mbledhur në vendngjarje gjurmë gishtërinjsh, të cilët mendohet se i kanë lënë keqbërësit. Sipas hetuesve të policisë shkencore, ky është një veprim, i cili shumë shpejt do të identifikojë dhe do të vendosë përpara drejtësisë keqbërësit. Godina ku ndodhet dega lokale e PS-së së Durrësit është multifunksionale. Në të ndodhet prefektura, qarku, disa parti, Aluizni, etj. Mësohet se në hyrjen që të çon në zyrat e prefekturës dhe Aluizni-t ajo mbrohet me policë, ndërsa mungojnë rojet në anën tjetër të godinës.Precedenti Në të njëjtin muaj dhjetor të tre viteve më parë një vjedhje ordinere u krye nga disa të rinj, përdorues droge në zyrat e PPSH-së së Durrësit, e cila për rastësi ndodhet në të njëjtën godinë me selinë rozë. Atëherë një bandë adoleshentësh theu kasafortat e zyrës modeste të PPSH, duke boshatisur të gjithë arkën, në të cilën ndodheshin afro 10 mijë lekë. Ngjarja e tre viteve më parë solli edhe reagimin e komunistëve të qytetit bregdetar, të cilët e kanë quajtur një akt të tillë si vandal dhe të qëllimshëm kundër Partisë së Punës. Atëherë në shënjestër të keqbërësve qenë edhe të djathtët dhe sindikalistët. Edhe dyert e PLL-së dhe të BSPSH-së, zyrat e të cilave ndodhen në Prefekturën e Durrësit janë thyer. Në këto ambiente grabitësit nuk gjetën asgjë me vlerë veç disa teserave të reja të anëtarësimeve, të cilat ishin hedhur mbi dysheme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›