UT, hap konkursin për 45 pedagogët e rinj
Vetëm 45 pedagogë të rinj do të mund të punësohen këtë vit në Universitetin Politeknik në Tiranë nga 400 të tillë që qeveria ka vendosur të punësohen në të gjitha universitetet e vendit. Drejtuesit e këtij institucioni, bëjnë të ditur se aktualisht po punohet për përcaktimin e kritereve të përzgjedhjes së këtyre pedagogëve, që pritet të publikohen në muajin gusht. Në këtë universitet, nevojën më të madhe për pedagogë e kanë lëndët e degës së Teknologjisë së Informacionit, pasi në këtë degë, këtë vit, janë shtuar kuotat e pranimit krahasuar me ato të një viti më parë. Studentët që kanë studiuar jashtë vendit do të jenë më të preferuarit për të qenë pjesë e stafeve akademike. Ky është kriteri i parë i përcaktuar nga universitetet publike për përzgjedhjen e 400 pedagogëve të rinj. Nga këta, rreth 157 vende të reja pune janë hapur vetëm në Universitetin e Tiranës (UT). Rektori i këtij universiteti, Dhori Kule, ka bërë të ditur se aplikimi i të interesuarve për të qenë pjesë e stafit universitar do të nisë në gusht, ndërsa pritet edhe përcaktimi i kritereve të kandidatëve për pedagogë. Aktualisht, Universiteti i Tiranës është në fazën e propozimeve të kritereve që do të publikohen për pedagogët e ardhshëm. Sipas rektorit të universitetit më të madh në vend, Dhori Kules, tashmë autoritetet drejtuese të fakulteteve po bëjnë propozimet përkatëse për këto kritere, në mënyrë që numri i pedagogëve që ka premtuar qeveria, të shpërndahet në mënyrë sa më të drejtë dhe pikërisht aty ku janë nevojat më të mëdha.
Viktimat e trafikut, tashmë trajtimi sipas standardeve
Viktimat e trafikimit dhe personat në risk trafikimi, të cilët trajtohen në qendra publike dhe jopublike të shërbimeve sociale, tashmë po trajtohen në bazë të disa standardeve. Këto të fundit, zhvillojnë të drejtat që sanksionohen në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Konventat Ndërkombëtare të ratifikuara dhe rekomandimet e Këshillit të Europës për luftën kundër trafikimit. Standardet, të cilat janë hartuar nga Ministria e Punës, mbështeten në parimet bazë si, respektimi, garantimi i vlerave të personalitetit të individit, të drejtat për të përfituar; mosdiskriminimi, ruajtja e konfidencialitetit të jetës private, integrimi shoqëror dhe pjesëmarrja në jetën e komunitetit, etj. Sipas Ministrisë së Punës, standardet po mundësojnë mbështetje sociale, akomodim, informim, ndihmë mjekësore, psikologjike dhe materiale, edukim, punësim, mundësi trajnimi, masa për mbrojtje sociale, etj. Aktualisht shërbimet për personat e trafikuar ose në rrezik trafikimi ofrohen nga Qendra publike për Pritjen e Viktimave të Trafikut dhe nga disa qendra/strehëza riintegruese të ngritura nga OJF-të. Në këto qendra trajtohen afro 130 viktima të trafikuara ose në rrezik trafikimi.
Klos: 180 nxënësit e komunës Dars, në shtator me shkollë të re
Në kuadrin e ndërtimit të shkollave apo rehabilitimit të tyre në të gjithë vendin ministri i Arsimit Genc Pollo, inauguroi dje, godinën e re të shkollës bazë 9-vjeçare të Darsit, komunë e Klosit. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Gani Ahmeti drejtor i Drejtorisë Arsimore, dhe pushtetarë vendorë. Rreth 180 nxënësit e këtij fshati këtë shtator do të mësojnë në shkollën e re, e cila u ndërtua me fondet e buxhetit të shtetit, granti konkurrues, me vlerë 150 mijë euro dhe falë bujarisë së familjes së Hajredin Memaçi, që dhuroi truallin për ndërtimin e shkollës. Para një viti, nxënësit frekuentonin shkollën me 4 klasa, godina 50 metra larg së resë, e cila kishte pësuar shumë dëmtime dhe kishte rrezik shembjeje.
19 Korrik 2008