Qeveria, rialokim 20 milionë dollarëve fonde nga investimet e parealizuara
Niveli i ulët i realizimit të investimeve ka detyruar Minitrinë e Financave të shtrëngojë ministritë e tjera në afatet e përfundimit të tyre. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka nxjerrë udhëzimin, në të cilin për herë të parë përfshihen penalitete për ministritë, të cilat vonojnë projektet e investimeve. Në udhëzim përcaktohet që: “ministritë duhet të dorëzojnë brenda datës 29 gusht 2008, programin e investimeve dhe planifikimit të shpenzimeve”. Përveç kësaj, programet e investimeve që do të hartohen nga ministritë, duhet të kenë të llogaritura përveç kostos, edhe përfitimet që do të vijnë nga këto projekte. Ky kusht është për projektet në infrastrukturë mbi vlerën 50 milionë lekë që do të realizohen nga Ministria e Transporteve. Në rast se nga drejtoritë e buxhetit të ministrive nuk dorëzohen projektet brenda afateve, atëherë ministritë do të paguajnë nga buxheti i tyre, gjoba që variojnë nga 5 mijë lekë deri në 50 mijë lekë. Investimet në total, në përputhje me planin vjetor, janë realizuar deri në masën 31.2 për qind. Ministritë të cilat kanë mbyllur realizimin e investimeve në nivele të ulëta për 6-mujorin e parë të këtij viti janë Ministria e Bujqësisë, me realizim 24 për qind dhe Ministria e Arsimit, me realizim 25 për qind të investimeve. Ministria e Transporteve e ka realizuar planin e investimeve në 6-mujorin e parë të këtij viti 30.6 për qind. Në 6-mujorin e dytë të vitit, nga investimet e parealizuara do të rialokohen 1.6 miliardë lekë, apo të konvertuar në monedhë të huaj, ato shkojnë në 20 milionë dollarë. Kjo shumë do të përfshihet në buxhetin shtesë.
Kredia tregtare, vendi mund të marrë edhe 100 milionë euro të tjera
Qeveria shqiptare ka mundësi që të marrë 100 milionë euro kredi tregtare dhe jokoncensionare, të cilat sipas marrëveshjes me FMN-në nuk janë shfrytëzuar ende. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, Parlamenti ka autorizuar kryerjen e investimeve përmes kontratave të kredisë dhe sipas marrëveshjes me FMN-në vend ynë është nën deficitet e programuara si deficite të brendshme korrente. “Ne kemi respektuar marrëveshjen që nënshkruam në janar 2006 me FMN-në. 680 milionë euro kredia jokoncesionare, kredia tregtare dhe në fakt ne kemi kontraktuar vetëm 580 milionë, ende100 milionë euro janë në dispozicion me të drejtën e qeverisë për të lidhur kontrata të reja”, - tha Bode. Deficiti i brendshëm këtë vit, sipas Bodes, është vetëm 2.3 për qind i PPB-së, si huamarrje e brendshme publike.
19 Korrik 2008