E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon prioriteti për rrugët, qeveria i kalon investimet nga turistiket tek elektoralet



Qeveria duket se do ta ndryshojë prioritetin e saj në lidhje me investimet publike për pjesën e dytë të vitit, duke i paraprirë kështu fushatës elektorale. Ajo duket se ka ndryshuar të gjithë skemën e investimeve dhe tenderave të rrugëve, ku vendin e atyre turistike do ta zënë rrugët e brendëshme dhe rrurale, duke kryer investime në zonat ku qeveria i shikon si bastione elektorale. Kështu duke nisur që nga muaji gusht i këtij viti, qeveria ka vendosur t‘i rikthehet sërish aksit rrugor që lidh Elbasanin me pikën kufitare të Tushemishtit, por duke kaluar përmes Përrenjasit. Përveç këtij aksi të rëndësishëm, qeveria është duke bërë gati përmes Ministrisë së Punëve Publike projektet e studimit për të përmirësuar kushtet teknike të disa akseve. Konkretisht është gati të nisë studimi për projektin e asfaltimit të rrugës Qafë Thanë-Lin-Pogradec, me vlerë 12 milionë lekë. Po ashtu, edhe rruga Pogradec-Tushemisht-Doganë do të jetë pjesë e studimit për kryerjen e asfaltimit nga e para, për të rritur në këtë mënyrë kushtet rrugore. Në këtë pikë, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, në fillimin të muajit gusht, është duke planifikuar disa tenderë edhe për akse rrugore jo pak të rëndësishme, siç janë Vorë-Maminas-Rrashbull dhe Fushë Krujë-Krujë-Sarisalltik. Për këto rrugë sëbashku dhe me ato kombëtare, janë programuar rreth 1.6 miliard lekë, që do të jetë fondi për projektet në rrugët kombëtare dhe dytësore në vend. Ky fond do të menaxhohet nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, e cila njofton se janë rreth 120 projekte në zbatim. Në rrugët kombëtare, por edhe ato dytësore në vendin tonë, veç projekteve që po zbatohen pritet të nisin edhe të tjera projekteve me synim përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Projektet

Veprat publike, një pjesë e mirë e të cilave do të përfundojnë këtë vit, janë ato në Juglindje të vendit. Bëhet fjalë për akset rrugore Korçë-Qafë Plloçë, Bllatë-Bulqizë, rruga e Bregut dhe një sërë rrugësh të tjera në zhvillim e sipër. Ndër këto projekte ai për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës së Gjirit të Lalzit, për të cilin është lidhur kontrata tashmë, kap shifrën e 183 milionë e 993 mijë lekëve. Projekti për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Shkozet-Durrës nga zona e Kënetës në Durrës, për të cilën është lidhur kontrata, do të financohen me plot 142 milionë e 448 mijë lekë.

Projekti gjigant

Në buxhetin shtesë për vitin 2008 nuk është përfshirë asgjë nga të ardhurat e privatizimeve të disa prej shoqërive shtetërore si “ARMO” dhe “OSSH”, të cilat do të shkojnë tërësisht për financimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Sipas Ministrisë së Financave, buxheti shtesë realizohet për herë të tretë këtë vit, por financimi i rrugës Durrës–Kukës do të arrijë në më shumë se 750 milionë euro, një shifër për projektin gjigant, që po merr pjesën dërmuese të Buxhetit të Shtetit. “Ne po shpenzojmë 8 për qind të GDP-së për një rrugë, për një vepër të vetme”, - ka deklaruar ministri i Financave, Ridvan Bode. Prodhimi i brendshëm bruto këtë vit është më shumë se 1072 miliardë lekë, që do të thotë se 750 milionë euro është konkretisht 8-përqindëshi i kësaj shume. Rruga Durrës–Kukës është parashikuar të përfundojë në fund të vitit 2009 dhe është një prej premtimeve më të bujshme të qeverisë “Berisha”.

Ndërtimi i rrugëve dytësore do të shtyhet deri në vitin 2013

Ndërtimi i 1500 kilometrave rrugë dytësorë do të nisë këtë vit dhe do të përfundojë në vitin 2013 përkundër premtimit të qeverisë “se ato do të ndërtoheshin brenda vitit 2009”. Projekti është parashikuar të përfshijë deri në 1500 km rrugë rajonale dhe lokale që do të financohen me fondet e donatorëve të huaj dhe që synojnë zhvillimin në zonat rurale të vendit. Në projekt do të përfshihen një sërë donatorësh si Banka Botërore, Bashkimi Evropian, Banka Japoneze për Zhvillim Ndërkombëtar, Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, gjë që mund ta bëjë edhe më të ngadaltë ecurinë e tij.

Akset rrugore ku do ndërhyhet gjatë muajit gusht 2008

Qafë Thanë-Lin-Pogradec

Pogradec-Tushemisht-Doganë

Vorë-Maminas-Rrashbull

Elbasan-Librazhd-Përrenjas

Fush Krujë-Krujë-Sarisalltik

19 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›