Familjet rome në Shkozë, Ministria e Punës merr masa
Ministria e Punës merr masa të menjëhershme për t’u ardhur në ndihmë familjeve rome në Shkozë, pas zjarrit që u dogji atyre banesat, ditën e shtunë. Asistencë e menjëhershme dhe ndihmë konkrete është ofruar nga strukturat e Ministrisë së Punës, në bashkëpunim me organizatat që veprojnë në fushën e të drejtave të romëve, ditën e shtunë, pas zjarrit që ra pasdite në disa nga banesat e komunitetit rom në Shkozë të Tiranës. Për nëntë familjet rome, të cilat humbën banesat, gjatë mbrëmjes së shtunë dhe ditën e diel janë ofruan ndihma në batanije, veshmbathje dhe ushqim. Ndërkohë, Ministria e Punës bën të ditur që gjatë ditëve në vazhdim do të bashkëpunohet edhe me Kryqin e Kuq Shqiptar, për të mundësuar strehimin e tyre të përkohshëm në çadra dhe marrjen e masave në vazhdimësi për të përballuar çdo nevojë të këtyre familjeve, veçanërisht të fëmijëve. Rreth orës 17:00 të ditës së shtunë, banesat e romëve pranë ish-Uzinës Autotraktor në Tiranë u përfshinë nga zjarri që arriti të djegë krejtësisht 6 prej banesave. Edhe pse nuk dihen ende shkaqet e plota të rënies së zjarrit, policia dyshon për zjarrvënie të qëllimshme, që ka të bëjë me konflikte brenda vetë kampit të romëve.