Invalidët, vizitohen nga Maksim Cikuli
Në ditën e katërt të grevës së urisë vjen edhe reagimi i parë nga strukturat e shtetit për këtë kategori në nevojë
Në ditën e katërt të grevës së urisë të tetraplegjikëve dhe paraplegjikëve ka ardhur edhe një lajm i mirë për ta, nga i cili mund të shpresojnë për plotësimin e kërkesave që ata kanë. Paraditen e djeshme, ish-ministri i Shëndetësisë, njëkohësisht dhe këshilltar i presidentit Bamir Topi, ka vizituar nga afër invalidët, duke u interesuar jo vetëm për gjendjen e tyre shëndetësore, por edhe për përcjelljen e kërkesave të tyre drejt Presidencës. Ish-ministri i Shëndetësisë u ka pohuar personave me aftësi të kufizuara se i njeh problemet me të cilat ata hasen çdo ditë dhe se çdo gjë që ka parë aty do ta përcjellë ashtu siç është te kreu i Shtetit, i cili në ditën e dytë të grevës shprehu shqetësim dhe interesim për këtë grevë. Pas bisedës me këshilltarin e Presidentit, grevistëve u janë ringjallur shpresat se çështja e tyre do të zgjidhet, duke pritur për të tjera reagime gjatë ditëve në vijim. Përpos këtij fakti, drejtues të tyre shprehen se janë të gatshëm të diskutojnë me përfaqësuesit e Ministrisë së Punës për plotësimin e kërkesave, por kurrsesi ata nuk do të dalin nga kjo grevë pa marrë garanci. Ditën e enjte të javës së kaluar, 21 persona me aftësi të kufizuar vendosën të hynin në grevë urie për të plotësuar kërkesat e tyre. Ata kërkojnë rritjen e paketës higjieno-sanitare, rritjen e masës së karburantit që përfitohet, duke e çuar në 80 litra në muaj, një rritje page për kujdestarët dhe njohja e siguracioneve të tyre janë kërkesat e para të tetraplegjikëve drejtuar qeverisë. Për pagesën e shërbimit të kujdestarit, invalidët kërkojnë që ajo të shkojë në masën 150 mijë lekë minimalja, sepse nuk u shërben njeri me 90 mijë lekë. Po ashtu, invalidët kërkojnë 80 litra karburant në muaj, sepse nuk mund të lëvizim. Aktualisht, në vendin tonë numërohen 5180 persona me aftësi të kufizuara, ndërsa vetëm në kryeqytet janë 1900 paraplegjikë dhe tetraplegjikë.