Kukës, 1 mijë vende të reja pune
Plot 1 mijë vende të reja pune do të hapen brenda këtij viti në Qarkun e Kukësit. Kjo do të bëhet e mundur falë një pakti territorial për punësimin e të rinjve në këtë zonë, që është firmosur së fundi nga 40 aktorë të kësaj fushe. “Ne do ta mposhtim papunësinë dhe do të formalizojmë tregun e punës, duke punuar e bashkëpunuar me të gjithë aktorët në çdo qytet e fshat, madje edhe ato më të voglat, nëse është e nevojshme”, - kështu u shpreh zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka, në ceremoninë e nënshkrimit të të parit pakt territorial për punësimin e të rinjve. Pakti për punësimin përcakton rolet dhe përgjegjësitë e mbi 40 aktorëve të përfshirë në përpjekjet për formalizimin e tregut të punës në rajon. Ai është fryt i bashkërendimit të punës në nivel vendor, nën drejtimin e Bordit Rajonal të Punësimit dhe me ndihmesën teknike të Ministrisë së Punës. Marrëveshja i jep formën ligjore një investimi prej 244 180 USD, prej të cilit 155 180 USD janë financuar nga Kombet e Bashkuara, në kuadrin e Programit të Përbashkët të OKB-së për Punësimin dhe Migrimin e të Rinjve, ndërsa 89 000 USD janë kontribut në natyrë nga partnerë vendorë, si kompani, sindikata dhe shoqata. Për më tepër, puna për zbatimin e paktit do të ndërthuret me skemat e granteve prej afro 300 000 USD, të ofruara nga qeveria shqiptare për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale të qarkut të Kukësit.