E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjet viktimave, gati kallëzimin penal kundër Mediut

Gërdeci


Avokatja e familjeve të të vrarëve të kësaj tragjedie tha dje do të depozitojë në prokurori kallëzimin ndaj ish- Ministrit të Mbrojtjes


Sot pritet një tryezë e avokatëve dhe familejeve me juristë të njohur ku pritet të diskutohen rrugët që do ndiqen për të çuar para drejtësisë përgjegjësit


TIRANË- Mbrojtësit ligjorë të familjarëve të 26 viktimave të tragjedisë së Gërdecit, bëjnë gati kallëzimin penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, tashmë me detyrën e ministrit të Mjedisit deputetit Fatmir Mediu dhe "arkitektëve" e kompanisë që ngritën fabrikën e ferrit në ish-repartin e tankeve.


Lajmi bëhet i ditur nga mbrojtësja ligjore e familjarëve të viktimave të Gërdecit, avokatja Blerta Kraja, gjatë një bisede me "Shekullin" konfirmoi këtë informacion, duke shtuar se të hënën kallëzimi do depozitohet pranë institucionit të akuzës.


"Nesër (sot) në ora 11:00 kemi një takim me ekspertë të ndryshëm ligjorë dhe avokatë të çështjes së Gërdecit, ku do të publikojmë disa nga detajet e strategjisë së mbrojtjes që do ndjekim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj të pandehurve të kësaj tragjedie.


Gjithashtu, do të publikojmë edhe të dhëna të reja, se çfarë rruge do ndjekim për t'i vënë para drejtësisë të gjithë ata që menduan se i shpëtuan dhe mendojnë se do t'i shpëtojnë akuzave për tragjedinë e Gërdecit.


Të hënën do të dorëzojmë pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë një kallëzim penal ndaj ministrit të Mjedisit, deputetit Fatmir Mediu, ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, administratorit të kompanisë "Albademil"


Mihal Delijorgji dhe kunatit të tij, me detyrë drejtues teknik në fabrikën e çmontimit në Gërdec, Dritan Minxholli. Këta persona do të kallëzohen si shkaktarë të vdekjes së 26 personave, familjarët e të cilëve i mbrojmë ne në proceset gjyqësore,- tha avokatja Kraja.


Sipas saj, me kallëzimin që do bëhet në prokurori, do t'i jepet mundësi e dytë organit të akuzës të rifillojë ndjekjen penale për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vetëm pak ditë më parë vendosi pushimin e çështjes për shkak të imunitetit të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit në vend.


Ky vendim i Gjykatës së Lartë, e shpëtoi atë nga gjykimi dhe përballja me akuzën e "shpërdorimit të detyrës", të kryer gjatë procedurave të përpilimit të ligjit për demilitarizimin e municioneve, vend caktimin për ngritjen e fabrikës së çmontimit në Gërdec, procedurat e pa rregullta të përcaktimit të firmës fituese dhe shumë akuza të tjera.


Pasojë e ngritjes së kësaj fabrike dhe mos krijimit të kushteve elementare të sigurisë fizike qe shpërthimi i 15 marsit 2008 që vrau 26 persona, plagosi 300 dhe disa miliardë lekë.


Ndërkohë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, vazhdon procesi penal me 28 të pandehurit dhe kompaninë "Albademil", të akuzuar si përgjegjës për ngritjen e fabrikës së çmontimit në Gërdec. Prej më tepër se tri muajsh, procesi nuk ka filluar ende, për shkak të mungesës së pa arsyeshme të avokatëve mbrojtës.


Gjithashtu, mbrojtësja ligjore Kraja, konfirmoi për "Shekullin" se edhe paditë civile, të cilat janë deponuar tashmë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, pritet t'i nënshtrohen një procesi të rregullt dhe të drejtë ligjor, duke kërkuar të drejtën e dëmshpërblimit për jetët e humbura nga shpërthimi i punishtes së demontimit në Gërdec.


DOSJA

Prokuroria mbylli hetimin për personat që akuzohen se rritën fiktivisht vlerën e dëmeve të objekteve të dëmtuar


10 vlerësuese dëmesh në Gërdec, të pandehur në gjykatë

TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, pas hetimeve disa mujore arriti të përfundojë fazën hetimore dhe ta dorëzojë pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të 10 të pandehurve të cilët akuzohen për "shpërdorimin e detyrës" të kryer gjatë vlerësimit të dëmeve materiale në fshatin Gërdec, pas shpërthimit të punishtes së çmontimit më 15 mars 2008.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ku është depozituar kërkesa për gjykim. Kancelaria e kësaj të fundit nëpërmjet shortit elektronik, ka caktuar gjyqtarin Gerd Hoxha si kryesues të treshes gjykuese të këtij procesi penal me 10 të pandehur.


Sipas dosjes penale me nr.1869, të pandehurit e kësaj dosjeje janë: ish-drejtori Urbanistikës në Këshillin e Qarkut të kryeqytetit, Myslim Ndroqi; kryetari i komisionit të Vlerësimit të dëmit në Bashkinë e Vorës, Isa Picari, si dhe tetë punonjësit e ALUIZNI-t, Ermira Mezini, Blerta Hodaj, Esmeralda Halili, Faviola Smajli, Klevis Bedini, Mustafa Gerdeci, Roela Gjeta dhe Shefki Haxhiu.


Të gjithë këta të pandehur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të ndarë në dy grupe nga pesë anëtarë, të cilët kanë kryer vlerësimin e dëmeve të ardhura nga shpërthimi i punishtes në Gërdec kanë konsumuar veprën penale të "shpërdorimit të detyrës" pasi kanë mbivlerësuar dëmet duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 21 milionë lekë të reja.


Kjo humbje e shkaktuar ndaj shtetit, është konstatuar nga ekspertët kontabël, të caktuar nga prokuroria dhe që kanë nxjerrë dëmin real të shpërthimit të ndodhur. Sipas tyre, anëtarët e komisionit të vlerësimit të dëmeve, kanë qenë të ndarë në dy grupe, ku në grupin e parë kanë qenë: Isa Picari, Mustafa Gërdeci, Myslym Ndroqi, Ervina Mezini dhe Faviola Smajli, të cilët kanë mbi evidentuar dëme të paqena në pesë banesa të kësaj zone, mes tyre edhe të vetë anëtarit të këtij komisioni, Isa Picari.


Ndërsa, në grupin e dytë të vlerësimit kanë qenë anëtarët: Klevis Bedin, Blerta Hodaj, Rotla Gjeta, Esmeralda Halili dhe Shefki Haxhiu, të cilët kanë fryrë shifrat e dëmeve në gjashtë banesa. Nga përmbledhja e gjithë shumës së rritur, sipas ekspertëve kontabël, dy grupet e vlerësimit të dëmit kanë shtuar rreth 21 milionë lekë të reja më shumë se sa ishin dëmet e shkaktuara realisht.


Mësohet nga dosja, se vetë të pandehurit të pyetur nga organi i akuzës, kanë mohuar akuzën dhe mospërputhjet mes vlerësimeve të tyre dhe atyre të tjera që janë kryer nga ekspertët kontabël, duke i konsideruar gabimet e tyre si njerëzore. Por, sipas dosjes, dy komisionet vlerësuese kanë vlerësuar dëmtimet në banesat e banorëve të Gërdecit, duke i favorizuar në fryrjen e faturave të dëmit.


"Nga kryerja e rivlerësimit të dëmeve, është konstatuar nga ekspertët kontabël, se në formularët e paraqitjes së dëmtimeve kishte të evidentuar si prishje totale e katit të dytë, në kohën kur banesa nuk kishte të ndërtuar fare katin e dytë.


Gjithashtu, kishte raste të evidentuar se banesa është e dëmtuar plotësisht, ndërkohë në terren rezulton e kundërta, banesa është dëmtuar vetëm në tjegulla",-thuhet në dosjen e përpiluar nga organi i akuzës.

Grupi i vlerësuesve (të pandehur)
Isa Picari
Mustafa Gerdeci
Myslym Ndroqi
Ervina Mezini
Faviola Smajli

1. Banesa e H. K.
Vlerësimi i parë, dëmi: 7.2 milionë lekë
Vlerësimi i dytë, dëmi: 11.74 milionë lekë
Vlerësimi i ekspertëve kontabël: 11.46

2. Banesa e I. P.
Vlerësimi i parë, dëmi: 1.55 milionë lekë
Vlerësimi i dytë, dëmi: 3.16 milionë lekë
Vlerësimi i ekspertëve kontabël: 1.82 milionë lekë

3. Banesa e A. P.
Vlerësimi i parë, dëmi: 471. mijë lekë
Vlerësimi i dytë, dëmi: 1.3 milionë lekë
Vlerësimi i ekspertëve kontabël: 986 mijë lekë

4. Banesa e Z .P
Vlerësimi i parë, dëmi: 2.36 milionë lekë
Vlerësimi i dytë, dëmi: 4.17 milionë lekë
Vlerësimi i ekspertëve kontabël: 2.60 milionë lekë

5. Banesa e R. P
Vlerësimi i parë, dëmi: 1.05 milionë lekë
Vlerësimi i dytë, dëmi: 2.56 milionë lekë
Vlerësimi i ekspertëve kontabël: 1.31 milionë lekë

Grupi i dytë i vlerësuesve (të pandehur)
Klevis Bedin
Blerta Hodaj
Rotla Gjeta
Esmeralda Halili
Shefki Haxhiu

1.Banesa e L.G
Vlerësimi i parë, dëmi: 1.9 milionë lekë
Vlerësimi i dytë, dëmi: 8.75 milionë lekë
Vlerësimi i ekspertëve kontabël: 4.4 milionë lekë

Rastet konkrete të abuzimit:
Banesa e H. K
Është vlerësuar si e dëmtuar plotësisht nga shpërthimi, 2-katëshe
Kati i dytë nuk ishte ndërtuar farë kur ndodhi shpërthimi

Banesa e R. D
Është vlerësuar në faturë si e dëmtuar plotësisht
Ekspertiza dhe fotot tregojnë se kati i parë nuk është dëmtuar fare

Banesa e I. P
Është pasqyruar në faturë si plotësisht e shkatërruar
Kati i dytë ska qenë i ndërtuar fare

Banesa e Z. P
Është vlerësuar si thellësisht e dëmtuar
Fotot tregojnë se nga katër katë nuk është shembur asnjë

Banesa e R. P
Është pasqyruar si plotësisht e shkatërruar
Fotot tregojnë se ka vetëm plasaritje të lehta

Banesa e shtetasit Latif Gërdeci
Është faturuar si e shkatërruar plotësisht
Kati i parë nuk është dëmtuar farë, është rindërtuar vetëm kati II-të


Dëmi total është 20.7 milionë lekë të reja


MEDIU


Gjykata, pushon padinë e Mediut kundër prokurorisë


TIRANË- Mungesa e paraqitjes së avokatit mbrojtës të paditësit Fatmir Mediu në seancën gjyqësore ku ish-ministri i Mbrojtjes kundërshton vendimin Prokurorisë së kryeqytet, e cila kishte vendosur mos fillimin e hetimeve ndaj kryeprokurores Ina Rama për "nxjerrje të sekretit hetimor", ka bërë që gjyqtarja Fatmira Hajdari ta pushojë çështjen.


Sipas vendimit të gjykatës, kallëzimi i bërë në prokurori, për daljen në konferencë për shtyp të kryeprokurores Rama në prill të 2008 duke lexuar kërkesën drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, ka bërë që ky i fundit të pretendojë se Prokurorja e Përgjithshme ka konsumuar elementë të veprës penale "nxjerrje të sekretit hetimor".


Për këtë kallëzim, prokuroria pasi kreu verifikimet e nevojshme vendosi mos fillim hetimi për mungesë të elementeve të veprës penale, por, paditësi Mediu kundërshtoi këtë vendim në Gjykatën e Shkallës së Parë.


Pas hedhjes në short elektronik, kjo dosje i ra për t'u gjykuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila për shkak të mos paraqitjes së palës paditëse në katër seancat e radhës vendosi të pushojë çështjen.


Sipas arsyetimit të vendimit, mos paraqitja e paditësit është bërë shkak që çështja të pushohet, pasi sipas Kodit të Procedurës Penale, nëse paditësi nuk paraqitet në tre seanca gjyqësore, çështja e hapur nga ai pushohet. Mbi bazën e këtij arsyetimi edhe gjyqtarja Hajdari ka vendosur pushimin e çështjes.


Ndërkohë, pak ditë më parë, ka qenë edhe gjyqtari Kreshnik Omari, i cili pushoi padinë e ish-ministrit Mediu kundër vendimit të prokurorisë së Tiranës, për mos fillimin e hetimeve ndaj drejtuesit hetimor të dosjes Gërdeci prokurorit Sokol Stojani, duke akuzuar këtë të fundit se ka dërguar mesazhe elektronike në adresë të një gazetari të ftuar një një emision televiziv ku ish-ministri Mediu ishte thirrur për të shpjeguar mbi tragjedinë e Gërdecit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›