E Diel, 1 Nëntor 2026

Vinte nga Spanja, arrestohet shqiptari me 19 kg kokainë



Policia italiane ka arrestuar një shtetas shqiptar dhe ka sekuestruar 19 kilogramë kokainë të fshehur në makinën që ai udhëtonte. Në prangat e karabinierëve ra 35-vjeçari Ervis Petro, i cili jetonte në shtetin fqinj si emigrant. I ndaluari udhëtonte me një automjet luksoz tip BMW X5, në momentin që u ndalua nga policia. Sipas mediave italiane, ai e kishte fshehur lëndën narkotike në pjesën e poshtme të makinës. 35-vjeçari u shoqërua në qelitë e burgut, në pritje për të dalë përpara drejtësisë italiane. Ndërkohë që prokuroria e vendit fqinj ka nisur hetimet në lidhje me persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik.

Arrestimi

Rreth orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme, karabinierët italianë kanë parë një makinë tip BMW X5, që lëvizte me shpejtësi në zonën e Ventimiglia-s. Ata janë vënë në ndjekje, ndërkohë që automjeti është ndaluar në postbllokun e radhës. Ata i kanë kërkuar dokumentet drejtuesit të mjetit, ndërkohë që sjellja e tij e shqetësuar ka bërë që ata të kontrollojnë makinën. Në pjesën e poshtme të saj, të fshehur nën tapetin e makinës, ata gjetën disa pako të vendosura njëra mbi tjetrën. Menjëherë kryen ndalimin e drejtuesit të mjetit, 35-vjeçarit Ervis Petro, ndërkohë që mallin e sekuestruar të dyshuar si lëndë narkotike e dërguan për t’iu kryer analizat. Sipas mediave italiane, agjentët sekuestruan 18 pako, ku brenda kishte mbi një kilogram lëndë narkotike të llojit kokainë.

Hetimet

Pas sekuestrimit të kokainës, agjentët italianë nisën hetimet. Sipas mediave italiane, gjatë marrjes në pyetje i riu ka mohuar të ketë dijeni për drogën. Ai ka deklaruar se makinën sapo e kishte blerë dhe se nuk kishte lidhje me kokainën e fshehur. Më pas, 35-vjeçari deklaroi se ai kishte qenë në Spanjë, nga ku ishte kthyer për në Itali, drejt Romës, qytetit ku banonte dhe punonte prej kohësh. Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Sipas policisë italiane, droga e sekuestruar në tregun vendas kap vlerën e prej 7.6 milionë eurove.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›