E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fanellat më të këqija

Çdo vit, tifozët e futbollit me padurim presin prezantimin e fanellave të reja të klubeve të tyre të dashura. Por, nganjëherë duket të jetë më mirë t’u qëndrojnë besnikë atyre të vjetrave. Nuk ndodh shpesh të shihni Real Madridin me fanella të kuqe, Barcelonën në të zezë dhe Juventusin vjollcë. Nga Express më 15 gusht 2011 në ora 11:56

Të keni fanellë të bukur në koleksionin tuaj është krenari për çdo tifoz të klubeve të futbollit. Por, nganjëherë mund të ndodhë që pikërisht fanella të jetë motiv që dikush të mos e përkrah një skuadër.

Edhe pse kompanitë e mëdha të veshmbathjeve sportive si Nike e Adidas, vazhdimisht mundohen të mahnitin me dizajnët e tyre, mirëpo jo gjithmonë puna e tyre vlerësohet, sidomos nga tifozët që në fillim të çdo sezoni mezi presin të blejnë fanellat e skuadrës së tyre të preferuar.

E vërteta është se futbolli është gjëja më e rëndësishme anësore në botë dhe asnjë banalitet i lidhur me veshmbathje nuk mund ta ndryshojë këtë. Por, të shikoni disa klube të famshme botërore dhe prej më të suksesshmeve në futbollin evropian, duke u paraqitur me fanella në ngjyra të pazakonshme nuk është diçka e dëshiruar.

Në vitet e fundit është bërë pothuajse normale që shumë skuadra të famshme evropiane të kenë fanella, të cilat assesi nuk ua mbushin syrin tifozëve të tyre. Edicioni i ri 2011/2012 në liga të ndryshme evropiane ka sjellë klube të cilat kanë prezantuar fanella të pazakonshme për ta, e që janë në kundërshtim me ngjyrat tradicionale.

Gjiganti spanjoll, Real Madrid ka prezantuar një fanellë të kuqe për ndeshjet si mysafir në Ligën e Kampionëve. Në shikim të parë, ato më tepër duken si fanellat tradicionale të klubit anglez, Liverpool.

Juventus ka prezantuar fanellën e dytë me ngjyrë vjollce dhe një yll të madh në pjesën ballore të saj. Fanella duket më tepër si diçka që mund të vishet për të shkuar në ndonjë diskotekë në Ibizza dhe është kritikuar ashpër nga tifozët e klubit që kanë paralajmëruar se do ta bojkotojnë atë duke u qëndruar besnikë ngjyrave tradicionale, bardhezi.

Edhe kampioni aktual i Evropës dhe Spanjës, Barcelona ka prezantuar një fanellë të re në ngjyrë të zezë si dhe emrin e sponsorit Qatar Foundation, që më tepër i ngjan fanellës ‘All Black’ të reprezentacionit të Zelandës së Re në ragbi.

Skuadra holandeze PSV Eindhoven këtë edicion ka prezantuar një fanellë të zezë me kocka të katërta (më mirë të mos kishin bërë një gjë të tillë). Këta nuk janë shembujt e vetëm, ka edhe mjaft të tjerë. Shitja e këtyre fanellave do të shërbejë si vlerësim për pëlqimin e tifozëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›