Hajdari përforcon Trepçën ’89
Trepça ’89 po vazhdon të përforcohet me futbollistë për edicionin e ri, i cili nis në fundjavën e ardhshme. Drejtuesit e klubit mitrovicas tashmë kanë arritur marrëveshje me futbollistin nga Shqipëria, Arsen Hajdari.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Trepçës, Ilir Bojku. “Hajdari të hënën do t’i bashkohet ekipit, sepse kemi arritur marrëveshje përfundimtare me këtë sulmues nga Shqipëria”, u shpreh Bojku.
Madje, Bojku paralajmëroi edhe përforcime të tjera. Sipas tij, mesfushori i Prishtinës, Behar Maliqi mund të jetë përforcimi i radhës i ekipit gjelbërebardh. Maliqi ka bërë kërkesë në Federatën e Futbollit të Kosovë për ta shkëputur kontratën me Prishtinën, e cila nuk i kishte kryer të gjitha obligimet ndaj tij.
“Nëse Federata e liron Maliqin, atëherë sipas të gjitha gjasave, Maliqi do t’i bashkohet ekipit tonë. 90 për qind e marrëveshjes veç e kemi arritur dhe kjo punë thuajse është e kryer”, vazhdoi Bojku.
Deri më tani, Trepça ’89 i ka siguruar shërbimet e Ilir Nallbanit, Florent Sejdiun, Visar Shkupollin, Ilir Izmakun e Liridon Kukajn.