E Shtunë, 31 Tetor 2026

Man Utd, kërcënimi kryesor

Nga Express më 15 gusht 2011 në ora 11:55

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi e konsideron Manchester Unitedin si kërcënimin më të madh për skuadrën e tij në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Gjiganti katalan mundi pikërisht Djajtë e Kuq në finalen e sezonit të kaluar në garën elite të klubeve evropiane.

Ekipi i Pep Guardiolës dominoi kundër skuadrës së Sir Alex Fergusonit duke i mposhtur me rezultat 3-1 në finalen e zhvilluar në Wembley.

Këta dy gjigantë ishin takuar në finale të së njëjtës garë edhe në vitin 2009, ku sërish kishte triumfuar Barcelona.

Messi beson se Manchester United vazhdon të jetë kërcënimi kryesor për vazhdimin e dominimit të skuadrës së tij në futbollin evropian.

“Ata mbeten ekipi që çdokush duhet t’i mposhtë. Ata kanë përvojë të madhe dhe kanë suksesin pas vetes”, tha Messi për Sunday Mirror.

“Ju nuk mund ta blini këtë. Sikurse Barcelona, ata duket se përmirësohen çdo sezon. Ata janë të uritur për më tepër sukses”, shtoi ai. Messi po ashtu beson se Manchester United është favorit për të mbrojtur titullin në Premierligë.

“Pres që Manchester United të triumfojë sërish në Premierligë, ndërsa i shoh si kërcënimin kryesor për mbrojtjen e kurorës evropiane”, përfundoi Messi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›