Lazio, zgjedhja ideale

Që kur ka arritur në Romë, shtypi dhe tifozët e kanë etiketuar si një luftëtar, përcaktues, një lojtar me karakteristika të veçanta. Kështu është Lorik Cana, qe një kohë i dalluar si një lider i vërtetë. Në skuadrat ku ka luajtur, ai është konsideruar si një lojtar që i ka dhënë motiv ekipit.
Atij iu desh një kohë që të ambientohej në Lazio dhe tash duket se është mësuar me realitetin e ri. Atë e duan tifozët, por edhe tifozet. Edhe ai është dashuruar në Italinë. Romën e sheh si një qytet të ëndrrave.
“Nëse flasim për futboll, kam arritur në një klub, ndër më prestigjiozët. Më pas, për të jetuar, Roma është një vend fantastik. Për mua, që jam i pasionuar pas historisë, janë shumë vende që ia vlen të vizitohen, kështu që mund ta kaloj kohën atje jashtë fushës. Por, siç e kam thënë, objektiv imi primar është futbolli. Ai italian është në nivelet më të larta, si ai anglez dhe spanjoll. Në këto kampionate gjenden skuadrat më të mira. Po pres që të nisë sezoni, kam dëshira dhe ambicie, dëshiroj të arrij suksese me Lazion”, deklaroi Cana një intervistë për të përditshmen ‘Mapo’.
Ndryshimet e shpeshta, natyrisht, nuk janë të lehta që të fillojë një marrëdhënie. “Duke ndryshuar kështu qytete shpesh, është e vështirë ta krijosh një raport stabil. Mirëpo, gjërat vijnë vetvetiu, për këtë nuk e kam ndërmend të ngutem, pastaj, edhe nuk jam i vjetër”, shtoi ai.
Edhe pse u largua nga Turqia, Loriku mban një kujtim të pashlyeshëm për Stambollin dhe Galatasarayn, edhe pse ka paksa zhgënjim për mënyrën se si shkoi sezoni i kaluar, i cili e la skuadrën verdhekuq jashtë kompeticioneve evropiane.
“Kur jam larguar nga Anglia, kam menduar se do të qëndroja në Turqi për një kohë të gjatë. Në fakt pata nënshkruar kontratë katërvjeçare. Dëshiroja të kisha një eksperiencë të mirë atje dhe të luaja në Ligën e Kampionëve, në një qytet të bukur si Stambolli. Mirëpo, e kaluam një sezon dështues, me probleme të ndryshme dhe për këtë lindi ideja për t’u larguar. Në Turqi, në nivelin human, kam kaluar mirë dhe kam bërë shoqëri. Më kanë pritur në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi ai.
Cana e ka shëtitur gjysmën e Evropës. Nga Kosova kishte shkuar në Francë, pastaj në Angli, Turqi dhe së fundmi në Itali. Ai ka eksperiencë të madhe, është qytetar i botës, por një vend në veçanti i ka mbetur në zemër.
“Kam filluar të luaj në Francë, në Paris dhe më pas kam shkuar në Marseille, ku kalova kohën më të mirë. Në Francë kam kaluar një kohë të gjatë dhe është si shtëpi e imja. Edhe në Angli ka qenë bukur dhe futbolli atje, ndoshta është më interesanti”, vazhdon ai.
Tash përpara tij është Serie A, fanella e Lazios që duhet ta nderojë, në njërin prej kampionateve më të vështira në botë. Gjithashtu, Serie A është kampionati më i dashur në Shqipëri dhe Kosovë.
“Jam mjaft i lumtur që kam arritur në Lazio. Transferimi im ka zgjuar interesim të madh në vendlindje. Dëshiroja të kthehesha në një kampionat të nivelit të parë, ku njerëzit e mi mund të më ndjekin me pasion. Të gjithë e dinë se, për shqiptarët, kampionati italian është special. Jam në një klub me emër dhe me ambicie të mëdha, jam me të vërtetë i kënaqur për këtë”, shtoi ai.
Cana shton se nuk e ka problem të flasë për jetën private, por e pranon se e bezdisin thashethemet për lidhje të mundshme. Në fund, Loriku tregoi se do të marrë pjesë në një dokumentar rreth Shqipërisë, i cili do të kalojë nëpër Hollywood, dhe që e sheh protagoniste edhe Eliza Dushkun, aktore e njohur shqiptare.