Hysi sfidon Interin?
Kampioni dhe fituesi i Superkupës së Kosovës, Hysi ka gjasa që brenda këtij muaji t’i matë forcat me skuadrën e famshme italiane, Inter.
Në fakt, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po mundohet ta bindë fituesin e Kupës së Italisë që ta zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj kampionit kosovar.
Në këtë mënyrë, shtëpia e futbollit kosovar po mendon ta shpërblejë skuadrën bardhezi për suksesin e arritur në edicionin e kaluar, pasi Hysi kishte fituar titullin e kampionit të Kosovës, derisa të shtunën e rrëmbeu edhe Superkupën.
Lajmin e kanë bërë të ditur burime të gazetës Express brenda klubit bardhezi. Sipas këtyre burimeve, tani edhe drejtuesit e Hysit po i mbështesin fuqishëm udhëheqësit e FFK-së në përpjekjet e tyre për ta bindur presidentin e Interit, Massimo Moratti, që t’i nxjerrë yjet e ekipit të tij për t’u ballafaquar me llapjanët.
“Se a do të luajmë apo jo, pritet të dihet së shpejti. Nëse pranojnë për ta zhvilluar ndeshjen, atëherë menjëherë do të kuptohet edhe data e zhvillimit. Ndeshja është paparë të zhvillohet në Zvicër”, ka thënë për Express një zyrtar i lartë i Hysit, në kushte anonimiteti. Sipas tij, gjasat janë të mëdha që Interi ta pranojë kërkesën e palës kosovare për zhvillimin e kësaj miqësoreje.
Ndërkohë, Expressi ka mësuar se drejtuesit e klubit nga Merdari ua kanë kërkuar pasaportat futbollistëve të tyre, në mënyrë që të aplikohet për nxjerrjen e vizave në Ambasadën e Zvicrës në Prishtinë.
Duhet theksuar se shtëpia e futbollit kosovar vazhdimisht po bën përpjekje për të organizuar ndeshje miqësore, qoftë për përfaqësuesen e Kosovës, apo për klubet e saj.
Madje, shumë herë ishin konfirmuar edhe emrat e skuadrave të huaja që priteshin të zbarkonin në Kosovë. Por, ndeshjet e paralajmëruara për t’u zhvilluar dështonin për shumë arsye, veçmas për faktin se FFK-ja ende nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s.
Dinamo e Zagrebit dy herë kishte anuluar zbarkimin në Kosovë dhe të njëjtën gjë e kishte bërë edhe Bursaspor. Madje, edhe Kombëtarja e Brazilit krejt në fund kishte refuzuar të luajë ndaj reprezentacionit kosovar.