Fani Zguro prezanton dy video-instalacione në Paris
Atelier Pier - “La Generale en Manufacture”, me qendër në Sèvres Paris më 30 prill 2009 prezanton ekspozitën personale të artistit shqiptar Fani Zguro. Për këtë projekt Zguro do të prezantojë dy video; “Passengers” (2009) dhe “Street by Street” (2007).
Videoja “Passengers” konsiston në manipulimin e filmit shqiptar “Nusja dhe Shtetrrethimi” të regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. Kjo video zgjat 20 sekonda dhe përsëritet në loop, duke krjuar kështu edhe performancën në video, në të cilën vihen re pesë ushtarë gjermanë të Luftës së Dytë Botërore, të cilët janë duke ecur në një rrugë të zbrazët, shoqëruar nga zhurma e lehtë e shiut. Ky është dhe fillimi i filmit shqiptar, i cili trajton ngjarje të kohës së Luftës II Botërore, gjatë periudhës së okupimit të Shqipërisë nga nazistët. E veçanta në video konsiston në faktin se ushtarët nuk arrijnë të përfundojnë performancën e tyre, falë ndërhyrjes në montazh dhe përsëritjes në loop. Duket sikur ata shkojnë gjithmonë deri në gjysmën e rrugës dhe kështu nisin marshimin përsëri nga e para. Ndërkaq, videoja e dytë, e titulluar “Street by Street”do të përcaktohej në këtë mënyrë nga Fani Zguro: “Gjithmonë, kur kthehem në Tiranë, ajo ç’ka më bën përshtypje është ‘diferenca’ e qyetetit tim me vendet, nga të cilat kthehem. Gjëja e parë që të bën përshtypje më shumë në qytet është drita marramendëse që iluminon qendrën gjatë ditës në periferi të Tiranës. Nëse i shtojmë këtij iluminimi edhe ngjyrat fluoreshente që determinojnë rrugët, pallatet, dyqanet, makinat, reklamat, atëherë, Tirana shndërrohet në një fustan ‘made in Gabriela’, po kaq marramendës. Ndoshta në këtë qytet gjithçka është e tillë. Mjafton të bëjmë një xhiro në qender të tij dhe do të kuptojmë se edhe ‘qytetarët’ janë tashmë pjesë e kësaj panorame, deri atje sa i përfytyrojmë edhe si personazhe përrallash.” Fshatarë të krekosur me gjithfarë formash dhe ‘qytetarë’ të një lloji të fasadës krijojnë atmosferën e humorit të prishur. Portretet dhe mimikat e tyre prodhojnë skenarë deliri. Ata bashkëjetojnë lirisht në rrugët e kryeqytetit me kafshët shtëpiake dhe puntorët e pazarit të popullit ambulant. Në Tiranë çdo proces funksion falë reflekseve të çdonjerit, ku ‘mrekullisht’ në të njëjtën kohë intereferojnë të kënduarit e hoxhës me ding-dangun e këmbanës së kishës. Në Tiranë, atje ku qentë e rrugëve kruajnë sëmundjet e horrorit non stop, turistit do t’i ofrohet në çdo moment një menu pikante, por pa ekzotizëm.
Artisti Fani Zguro është ndër krijuesit e rinj të promovuar gjatë viteve të fundit në fushën e arteve vizive dhe performancës në Tiranë dhe jashtë saj. Pas studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera të Milanos (’98 – 2002) ai ka frekuentuar programin “artists in residence në kryeqytetin europian të artit, Paris. Pasandaj Fani do të angazhohej si kurator i pavarur pranë Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Nga viti 2007, ai është drejtor artistik i projektit Tirana Art Center, ku deri tani, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve të Tiranës janë prezantuar projektet e artistëve ndërkombëtarë Tomas Saraceno dhe Bert Theis. Në të njëjtin vit, ai bashkëpunon në projekte të ndryshme me Isola Art Center, sikurse në rastin e ekspozitës së kuruar prej tij “Absolute Beginners”, me pjesëmarrjen e artistëve ndërkombëtare si Anri Sala. Duke filluar nga viti 2008, Zguro po mbron masterin në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera të Milanos, ndërkohë që sivjet Fani Zguro merr pjesë në programet e rezidencave të artistëve në Austri (Vjenë), Francë (Paris) dhe në Kolumbi. Punët e artistit shqiptar janë prezantuar në hapësira të ndryshme si Palazzo delle Papesse Siena, Tirana Biennale, Isola Art Center Milano, Micro Museum Nju Jork, The National Center of Contemporary Art, Moskë, The National Library of Buenos Aires, Galeria Kombëtare e Arteve të Tiranës, Galeria Kombëtare e Arteve të Prishtinës, Neon Campobase Bologna, Taller Siete Medellin, Galerie ArtPoint Vienna, La Gènèrale en Manufacture Sevres Parigi, Biennale del Mediterraneo Taviano, Festival of Video Art in Casablanca, Pursuit of Happiness Glasgou etj.
29 Prill 2009