Performanca angleze e Sislej Xhafës, paguan të papunët të shtyjnë autobusin
Artisti shqiptar nga Kosova i cili jeton në Nju Jork, Sislej Xhafa, të premten organizoi një performansë në Oxford të Anglisë duke paguar njerëz të papunë që të shtyjnë një autobus. Autobusi i mbuluar me ngjyrë reflektuese u shty nga të papunët në Cornmarket Street të këtij qyteti. Sislej Xhafës i është dhënë leje që të sjellë automjetin në këtë rrugë të ngarkuar për perfomancën rreth “kompleksiteteve të turizmit”. Galeria Modern Art Oxofrd pagoi shtytësit e autobusit nga 15 stërlina për pjesëmarrjen e tyre që zgjati një orë. Autobusi reflektues që së pari u paraqit në Stamboll në vitin 2001, ishte caktuar të shtyhej nëpër Cornmarket Street me motor të fikur, deri në Oxford Castle në Nju Street, ku do të qëndrojë i ekspozuar për gati 2 muaj. 38-vjeçari Sislej Xhafa ka ekspozuar shpesh në Europë, Azi dhe Amerikë. Ai është specialist në skulpturë, pikturë dhe performancë. “Vepra ime, autobusi elegant i sëmurë, vë në pyetje kompleksitetet e turizmit dhe fenomenit ekonomik të tij. E shoh autobusin si një mjet të turizmit që reflekton ambientin” –thotë artisti. Ndërsa Suzanne Cotler, kuratore e ekspozitës “Transmission Interrupted”, tha: “Sislej Xhafa është një artist bashkëkohor i vlerësuar për veprat e tija me imagjinatë të lartë në arenën publike.”
29 Prill 2009