Fani Zguro projekton “Selfportrait” në galerinë “Promenade” në Vlorë
Nga data 21 shtator deri më 10 tetor, në galerinë “Promenade” në Vlorë do të jetë i hapur për publikun cikli i video-instalacioneve “Sa shumë burra”. Në këtë ekspozitë marrin pjesë artistët Alesandro Mancasola, Barbara Ceriani Basilico, Gaia Fugaca, Bruno Muzolini dhe Fani Zguro me videon e tij “Selfportrait”, e cila është dhe një ndër videot e para të artistit bashkëkohor shqiptar. Në këtë video, Zguro kërkon të imitojë periudhën e fundit të Rembrandit, gjatë të cilës piktori hollandez, në mungesë modelesh krijoi vetëm një cikël të gjatë autoprotretesh. Në video shfaqet autoportreti i artistit, por i ndodhur në një dhomë të errët, ku është shumë e vështirë të dallohen tiparet e tij. Vetëm falë një dritëze të kuqe, spektatori arrin të shquajë disa nga detajet e portretit, i cili qëndron i palëvizur, duke e shdërruar videon thuajse në një frame. Gjithashtu, në këtë video mungon krejtësisht zëri.
KINEMA
“Heri Poter 6” vazhdon projeksionin shqiptar
Pas një viti të gjatë pritjeje, pas premierave të bujshme gjatë verës 2009, pas një arkëtimi që I kalon 297 milionë dollarët vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Harry Potter and the half-blood prince” mbërrin edhe në Tiranë. Filmi I njohur ndryshe edhe me titullin “Heri Poter 6” është aventura e parafundit e personazhit më mitik që frymon në ekranin e madh falë një sage letrare të shndërruar thuajse në legjendë.
Filmi, i shndërruar në imazhe kinematografike ashtu si dhe pesë vëllimet e para të historisë së krijuar nga pena e J.K. Rouling ka filluar shfaqet për publikun shqiptar në ekranin e madh të kinema “Millenium” që nga e enjtja e kaluar (17 shtator ‘09) duke nisur kështu udhëtimin shqiptar nëpër të gjitha kinematë e rrjetit “Millenium” në vend. Në këtë mënyrë, fansat e shumtë shqiptarë, që kanë pritur me padurim filmin, do të kenë mundësi ta ndjekin atë për ta shijuar por edhe për të shuar kureshtjen për realizimin kinematografik të njërit prej vëllimeve më të rëndësishme të sagës poteriste.
22 Shtator 2009