E Diel, 1 Nëntor 2026

Fansi i Madonës sulmon Gaj Riçin në Londër



Tashmë është në rrezik për jetën regjisori i njohur Gaj Riç pas lajmit të divorcit nga bashkëshortja e tij, Madona. Një fans i këngëtares amerikane u përpoq ta therte gjatë xhirimeve të filmit të tij të fundit. Por sulmuesi adoleshent u ndalua në kohë. Ky është sulmi i dytë ndaj regjisorit Riç në Londër pas divorcit nga Madona. Një tjetër e përditshme britanike ka bërë të ditur se ish-bashkëshorti i këngëtares u sulmua në një pab londinez. Një admirues i “Material girl” kishte shpërthyer kundër Riçit dhe divorcit me Madonën, duke derdhur pijen e tij sipër disa klientëve që ndodheshin aty. Megjithatë, ajo që ndodhi më pas ishte më e rëndë: një 16-vjeçar, i veshur me të zeza, mbërriti në setin kinematografik të Mançesterit ku Riçi është duke xhiruar një film dhe zgjati një thikë 30 centimetra duke bërtitur: “Ku është Gaj? Dua ta heq qafe!” Agresori iu afrua regjisorit shumë pranë, para se të kapej nga rojat e sigurisë dhe më pas të merrej nga policia. “Ai i bërtiste Gajit dhe përsëriste: E dua Madonën”, - ka rrëfyer një burim pranë vendit të ngjarjes. Një zëdhëndës i Madonës ka zyrtarizuar javën e parë lajmin se ylli i muzikës dhe regjisori i kanë lënë për në nëntor praktikat për përfundimin e divorcit. Madona u martua me Riçin në dhjetor të vitit 2000 në një kështjellë në Skoci. Të dy kanë shtëpi në Londër, Los Anxhelos, Nju Jork si dhe 485 hektarë në Ualtshajë të Anglisë.

Leonardo Di Kaprio rrëfen dashurinë e parë

Di Kaprio, i turpshëm me femrat, tregon për historinë e tij të parë. Leonardo Di Kaprio nuk është thjesht një aktor me famë botërore që ka bërë të qajnë miliona telespektatorë kur vdiq i ngrirë në “Titanik”. Por Leo është edhe një mashkull magjepsës që ka mundur të fitojë zemrat e femrave të kalibrit si Helena Kristensen, Gisel Bundshen dhe Bar Rafaeli. Megjithatë, edhe për të nuk ka qenë gjithmonë kaq e thjeshtë të joshte gjininë tjetër. Di Kaprio ka rrëfyer se kur ishte adoleshent nuk kishte sukses me vajzat dhe i dukej shumë e vështirë të kishte marrëdhënie me to. “Kam qenë gjithmonë paksa i ngadaltë. “Takimin tim të parë e kam pasur me një vajzë që quhej Çesi. Patëm një lidhje të mrekullueshme telefonike që zgjati gjithë verën dhe më pas, kur më në fund e takova, nuk mundesha ta shihja në sy”. Leonardo kur ishte i vogël ishte i ndrojtur dhe i turpshëm. Dashuria e tij e parë quhej Çesi. E ç’mund të themi? Mbase kur të rritet ai do të bëhet i guximshëm...

Bejonse shton 9 kilogramë nga akulloret

Këngëtarja e njohur Bejonse Knolis i ka thënë lamtumirë trupit dhe linjave perfekte. Kohët e fundit ajo ka shtuar në peshë duke ngrënë akullore vetëm për të luajtur rolin e këngëtares së famshme të muzikës R&B, Eta Xhejms. Këngëtarja dhe aktorja, Bejonce, ka shtuar nëntë kilogramë për të luajtur karakterin e Eta-s në filmin “Cadillac Records”, ndërsa ka pranuar se ajo është shëndoshur duke ngrënë akullore. “Kam ngrënë shumë akullore kur po përgatitesha të luaja rolin e Eta-s në filmin “Cadillac Records”. Kam qenë në gjendje të ha aq shumë sa dua, pasi ata kërkonin nga unë që të shtoja shpejt në peshë. Ishte një kënaqësi e madhe të haja shumë”, - ka shpjeguar Bejonce.

Pet Shop Boys do të nderohen nga “Brit Awards”

Grupi “Pet Shop Boys” do të nderohet me çmimin kryesor në ceremoninë e ardhshme të “Brit Awards”. Grupi i përbërë nga dyshja Neil Tennant dhe Kris Lou do ta marrin çmimin për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në muzikë, në ceremoninë që do të mbahet në shkurt të vitit të ardhshëm. “Që nga momenti që fituan çmimin e parë ‘Brit’ para 20 vitesh, Neil dhe Kris kanë krijuar një numër të madh këngësh të bukura, të cilat kanë qenë vërtet një temë jetësore për shumë gjenerata”, - ka thënë drejtori i komitetit të ndarjes së çmimeve në ceremoninë “Brit Award”, Ged Doherti.

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›