“Funerali i pafundmë” i Visar Zhitit “flet” rumanisht
Kohët e fundit është promovuar në Bukuresht romani “Funerali i pafundmë”, i shkrimtarit Visar Zhiti. Ky libër vjen nga shtëpia botuese “Leda”, një nga më të mëdhatë e vendit, pjesë e grupit editorial Corint. Romani është përkthyer nga Luan Topçiu, ndërsa redaktore e librit është Antonia Cacso dhe referent shkrimtari Liviu Lungu. Kopertina e librit shoqërohet me thënie të studiuesit dhe albanologut të mirënjohur dr. Robert Elsie mbi veprën e Zhitit. Një tjetër nga referentët e librit është shkrimtari rumun Aurel Maria Baros, i cili shprehet se “botimi i romanit të Visar Zhitit në rumanisht përbën një eveniment të vërtetë kulturor. Romani është një epope e vërtetë e kalvarit të një shoqërie që i është nënshtruar “një marshi funebër” diktatorial, drejt një ideali të sëmurë. Në thelb, një histori e rëndë, por plotësisht reale, një histori e marshimit të verbër, një histori e përbërë prej evenimentesh domethënëse, tragjike dhe tragjikomike, një metaforë e jashtëzakonshme e “turmës” së tërhequr në mënyrë obsesive në një rrugë që nuk gjen fundin. Marshi sfilitës, në të cilin njerëzit janë të shtyrë nga forcat shtypëse (këto mbeten sinonime), ështi i shoqëruar me ngjarje që ilustrojnë absurditetin e gjendjes, herë në linja karikaturale, herë me shije humori, herë quasi-tragjike dhe madje lirike. Personazhe – maska, personazhe – zëra apo vetëm personazhe-kujtime-të vagullta nuk bëjnë vetëm figuracion, duke çuar në apoteozë (apoteoza e së keqes) marshimin e shumicës drejt një varri të nevojshëm, asnjëherë të mbërrishëm. Arkivoli që mban turma, përpara se të vërtetohet se është bosh, “mbreti lakuriq” metaforizohet përsëritshëm, duke ngritur simbolin si për të orientuar “dëshirat” e shumicës dhe për të ngritur, së tepërmi, mbi kuptimet e metaforës. Në letërsinë e të gjitha kohërave dhe në të gjithë meridianët (sidomos në ato zona gjeografike të goditura nga diktatura deri në prag të mijëvjeçarit të tretë) ekzistojnë shumë tekste “antidiktaturë”, të shkruara madje nën hijen e “thembrës së hekurt” apo në ekzil, tekste që përfshijnë akuza të rrepta, duke u nisur nga njëra prej fasadave të kësaj “sëmundjeje sociale” të tmerrshme. Teksti i Visar Zhitit është një afresk gjithëpërfshirës dhe tepër i gjerë, me thellësi, në të cilin asnjë nga sëmundjet (defektet) e regjimit nuk është harruar. Në tekstin e Zhitit, bashkekzistojnë lumturisht, me domethënie të thella, sekuenca të tmerrit dhe të poezisë së ndjeshme, komikja me absurdin, grotesku dhe meditimi serioz, patetizmi dhe fatalizmi më gjunjëzues”. Për lexuesin e një hapësire gjeografike dhe historike të ngjashme me atë ku zhvillohet marshi i pafundëm funeral, romani shfaqet si një tekst që kuptohet më lehtë dhe asimilohet më shpejt.
4 Nentor 2008