Gruevski: “Pritet presion ndërkombëtar për emrin”
Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, deklaroi se gjatë 40 ditëve të ardhshme pritet presion i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare për gjetjen e zgjidhjes së emrit të Maqedonisë.
Deklarata e kryeministrit Gruevski erdhi gjatë një debati të hapur të anëtarëve të kabinetit me kryeredaktorët e mediave në Maqedoni, me rastin e 100 ditëve të para të qeverisë. “Kërkesat e Greqisë nuk kanë të bëjnë vetëm me ndryshimin e emrit, por edhe me ndryshimin e identitetit kombëtar dhe gjuhës, që do të verifikohej më pas edhe me ndryshimin e pasaportave”, - deklaroi kryeministri. Sipas tij, nuk ka shenja se pala greke do të mund të bëjë hapa prapa në pikëpamjet që kanë të bëjnë me çështjen e identitetit dhe gjuhës. “Kjo trysni mund të barazohet me një ferr të vërtetë. Nëse Greqia e pranon propozimin e fundit të Nimiçit, që është pak e besueshme, meqë ka shumë vërejtje, si dhe nëse propozimi pranohet nga opozita maqedonase, atëherë ne do të ofrojmë referendum. Atëherë edhe qeveria do ta tregojë qëndrimin e saj”, - theksoi Gruevski. I pyetur nëse rezultati i referendumit do të ketë karakter konsultativ apo do të jetë i detyrueshëm, Gruevski sqaroi se kjo duhet të saktësohet me partitë e tjera politike.
Klaus: “Çekia do ta ndihmojë Serbinë për anëtarësimin në BE”
Presidenti çek, Vaclav Klaus, ka deklaruar se gjatë kryesimit të BE-së në pjesën e parë të vitit 2009, Çekia do të bëjë ç’është e mundur që Serbia të afrohet me Bashkimin Europian. Deklarata e presidentit çek Klaus erdhi pas takimit me presidentin serb Boris Tadiç. Ndërkohë, Tadiç ka thënë se Serbia mund të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE gjatë Presidencës çeke. Sipas tij, Serbia dhe Çekia kanë një nivel shumë të lartë mirëkuptimi për të gjitha çështjet strategjike, përfshirë Kosovën, ku këto dy shtete kanë “dallime diametralisht të kundërta”. Klaus ndërkaq ka thënë se ai “shumë herë ka shprehur rezervat e tij ndaj pavarësisë së Kosovës” dhe ka shtuar se i kupton “ambiciet e qeverisë serbe dhe të presidentit Tadiç, që të vijë deri te zhvillimi pozitiv rreth kësaj çështjeje”, - kanë njoftur agjencitë e lajmeve.
4 Nentor 2008