E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fantazma” e Rumanisë ndëshkon Kombëtaren



Shqipëria e Kuzhes, ajo që të gjithë kishim shpresuar se do të shihnim kundër Suedisë në Stokholm, u shkërmoq në mënyrë të turpshme në “Rasunda Stadium”, duke humbur 4-1 në ndeshjen e fundit eliminatore të Kampionatit Botëror 2010. Një takim i nisur shumë keq qe më vendosjen e lojtarëve në fushë, - e papritura, Elvin Beqiri në mesfushë, - e deri te mosimpenjimi absolut i mbrojtjes si nga ana e Armend Dallkut, por dhe nga Debatik Curri (gjithmonë problematikë në ndeshjet e fundit). Një kapitullim i butë me Suedinë, por që patjetër do të lërë gjurmën në kujtesën historike të statistikave. Kuzhe dëshmoi se dhe ai ka ngjashmëri me Ari Hanin - ku i fundit humbi 3-0 me Danimarkën – se nuk i ka aspak nën kontroll lojtarët, të cilët më mirë shprehen në media sesa në fushën e lojës. Në ndeshjet e tjera të grupit tonë, Hungaria fitoi 1-0 në Danimarkë dhe Portugalia fitoi 4-0 me Maltën, duke zënë një vend në plej-of. Danimarka është fituesja e grupit dhe kualifikuara direkt e grupit tonë për në Botëror.

Pjesa e parë

Trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, e nisi takimin me Ujkanin në portë, katërshen e mbrojtjes, Dallku, Curri, Cana, Haxhi; Bulku e Beqirin në zonën e mesfushës shkatërruese, Duron e Skelën në zonën krijuese e dyshen Bogdani e Salihi në vijën e parë. I çuditshëm avancimi i mbrojtësit Elvin Beqiri para Ervin Bulkut.
Topi i parë u luajt nga Suedia të mbështetur nga gati 30 mijë shikues në “Rasunda Stadium” të Solnës, ku të pranishëm kanë qenë edhe disa qindra tifozë kuqezinj. Vizita e parë e rrezikshme i takoi Shqipërisë. Në minutën e 2-të, Hamdi Salihi u shfaq pas shpinës së mbrojtjes suedeze, por sulmuesi shqiptar i Rapidit të Vjenës nuk ia doli të rrezikojë portën e mbrojtur nga Andreas Isakson. Një minutë më pas, kapiteni i Suedisë, Zlatan Ibrahimoviç, dueloi me Debatik Currin, por mbrojtësi i Kombëtares sonë ia doli ta bllokojë tentativën e sulmuesit të Barcelonës, i cili humbi ekuilibrin brenda zonës së vogël të mbrojtur nga Samir Ujkani. Suedia na ndëshkoi pa kaluar as pesë minuta lojë, kur pas një goditje këndi, mbrojtësi i Olimpiakosit të Pireut, Olaf Melberg, i pa mbuluar as nga Armend Dallku dhe as nga Elvin Beqiri, goditi fuqishëm me kokë duke mposhtur Samir Ujkanin në minutën e 5-të. Goli i dytë i pësuar nga portieri i Novarës në dy ndeshje zyrtare si titullar me përfaqësuesen, pas atij në barazimin 1-1 me Danimarkën. Trajneri Kuzhe në minutën e 22-të zëvendësoi mbrojtësin e majtë të Apol Nikosias, duke e zëvendësuar atë me mesfushorin virtuoz të Mainc 05, Jahmir Hykën.

Në të 27’, Ervin Bulku hodhi një top nga e majta e sulmit të Shqipërisë në drejtim të Salihit, por sfera nuk mbërriti në këmbët e golashënuesit të njohur shqiptar në kampionatin austriak. Pas ndëshkimit me karton të verdhë të Armend Dallkut (22’), kartoni i tij i pestë i verdhë në këto eliminatore, erdhi edhe ndëshkimi me të verdhë edhe i suedezit Anders Svenson (28’).
Në minutën e 35-të, kapiteni Ervin Skela dha një top në fundore për Jahmir Hykën, një tjetër lojtar që luan në Gjermani, fantazisti i Maincit harkoi paksa lart në zonë, dhe me gjithë kërcimin e Hamdi Salihit, ky i fundit nuk arriti të rrezikojë. Një rast i mirë. Në minutën e 40-të, një kthim prapa topi i Lorik Canës, gjeti më në thellësi Armend Dallkun, ky i fundit hapi këmbët, duke i krijuar mundësinë zëvendësuesit suedez Markus Berg të Hamburgut të shënojë lehtësisht, duke dribluar madje dhe Samir Ujkanin. Një dhuratë tipike e futbollistëve shqiptarë. Fantazmat e Rumanisë, ndeshja e fundit e Kombëtares në eliminatoret e Euro 2008, ku humbëm thellësisht 6-1, janë rikthyer më të gjalla se kurrë. Pas vetëm dy minutash ishte sërish një gafë e mbrojtjes sonë, i dha mundësi sërish Olof Melbergut të shëmojë qetësisht golin e tretë, duke i vënë vulën e turpit një pjesë të parë krejtësisht të dobët, madje edhe më e keqe se ajo në humbjen 3-0 me Danimarkën, që solli dhe shkarkimin e trajnerit holandez Ari Han.

Pjesa e dytë

Asnjë ndërrim nga trajneri Josip Kuzhe me fillimin e pjesës së dytë. Një përpjekje sporadike e Salihit në minutën 54-t, por gjuajtja tokazi e sulmuesit shkodran u devijua në goditje këndi nga mbrojtësit suedezë. Në të 57’, Hyka u përpoq nga e majta e sulmit tonë, tentoi të bashkëpunojë në fundore me Ervin Bulkun, por pa rrezik. Ervin Skela ekzekutoi një goditje këndi, dhe Hamdi Salihi me nuhatjen e tij tipike gjeti hapësirën e pa mbuluar nga suedezët për të shënuar golin e parë për Shqipërinë në minutën e 55-të. Goli i dytë me fanellën e Kombëtares për Hamdi Salihin, pas atij të realizuar në miqësoren me Maltën (3-0, më 22 gusht 2007). Ky ishte dhe goli i parë i Shqipërisë i shënuar në transfertë gjatë pesë ndeshjeve jashtë shtëpisë në këto eliminatore, ndërkohë që Salihi realizoi golin e gjashtë të Kombëtares në dhjetë ndeshje kualifikuese. Autorë të tjerë janë Bogdani (3), Duro (1), Dallku (1), që kanë shënuar nga ana e tyre në “Qemal Stafa”. Ervin Bulku goditi fuqishëm brenda zonës, në minutën e 68-të, por Isakson e grushtoi topin. Një veprim i bukur i mesfushorit shkatërrues të Krivbasit në Ukrainë. Më agresive Shqipëria pas shënimi të goli të Salihit. Debatik Curri gaboi në mbulimin e kundërshtarit në të 72’, Nilsoni përfitoi, goditi, por Ujkani u tregua i vëmendshëm duke shmangur pësimin e golit të katërt nga ana e nordikëve. Kuzhe hodhi në fushë Edmond Kapllanin në vend të Salihit në minutën e 79-të, autorit të golit të Shqipërisë. Ndeshja e 25-të për sulmuesin e Augsburgut. Berg goditi brenda zonës në të 85’, por Ujkani u tregua i vëmendshëm, dhe me një veprim akrobatik i mohoi suedezit golin e katërt për formacionin e trajnerit Lars Lagerbak. Mesfushori Andres Svenson ndërmori një sllallom të gjatë në zemër të mbrojtjes sonë, tërësisht e hapur dhe e pavendosur, duke realizuar në minutën e 85-të golin e katërt për Suedinë. Kapitullimi është i plotë, edhe pse Kuzhe luan me kartën e fundit, duke hedhur në fushë Besart Berishën për Erjon Bogdanin, krejtësisht në hije dhe shumë larg deklaratave bombastike. Gjithsesi, fitorja e bujshme e Suedisë me Shqipërinë, vlejti vetëm për statistike e kënaqësi për trajnerin nordik Lars Lagerbak. Të paktën për një gjë duhet të ngushëllohemi, se humbja 4-1 me Suedinë në eliminatoret e Botërorit 2010 është më pak e rëndë se ajo 6-1 me Rumaninë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2008. Shqipëria dëshmoi se ajo luan kur të dojë ajo dhe kur shpresojnë trajnerët që e kanë drejtuar atë, qoftë ky me emrin e kroatit Oto Bariç apo bashkatdhetarit të tij, Josip Kuzhe. Kjo ishte humbja e pestë e Shqipërisë në dhjetë ndeshje, ku mundëm të fitonim vetëm ndaj Maltës, ekipit të vetëm që ka mundur të marrë një pikë, pikërisht ndaj nesh.

Eliminatoret, Botërori 2010
Suedi- Shqipëri 4-1
Shënues: Olof Melberg 5, Markus Berg 40, Olof Melberg 42’, Andres Svenson 85’/ Hamdi Salihi 55’
“Rasunda Stadium”, 14 tetor 2009

Ndeshjet e fundit
Danimarkë- Hungari 0-1
Suedi-Shqipëri 4-1
Portugali-Maltë 4-0

Renditja përfundimtare
Danimarka 21
Portugalia 19
Suedia 18
Hungaria 16
Shqipëria 7
Malta 1

15 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›