E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fantazma e shqiptarëve, dosjet e policisë sekrete gjatë komunizmit

Dy dekada pas rënies së komunizmit, shqiptarët jetojnë me një frikë të dyfishtë, por edhe janë kuriozë, për sa i përket hapjes së dosjeve të policisë sekrete mbi jetën e civilëve, të cilat janë mbajtur të mbyllura që nga rënia e regjimit të vjetër. Kështu ka shkruar Agjencia e Lajmeve Franceze, AFP, për sa i përket debatit për hapjen ose jo të dosjeve në Shqipëri. Agjencia prestigjioze vazhdon më tej, duke shkruar se megjithëse disa politikanë kanë kërkuar që të vetëdemaskohen dhe të hapen dosjet, rezulton se vetëm aty për aty, pak dosje të personave të njohur janë bërë publike. “Sa herë që përmendet çështja e hapjes së dosjeve, është ndrydhur me shpejtësi me idenë se arkivat janë shkatërruar ose janë manipuluar nga politikanët”, - citohet nga agjencia AFP, Bedri Coku, i cili ka përjetuar 34 vite burg në burgjet dhe kampet e komunizmit. “Vazhdohet me këtë terror për hapjen e dosjeve”, - thotë me tej Coku në lidhje me Shqipërinë. Sipas burimeve jozyrtare, përmend AFP-ja, rezultojnë se rreth 20 për qind e shqiptarëve kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete komuniste dhe kanë informuar për aktivitetet e “dyshimta” të shokëve, fqinjëve, kolegëve apo edhe të anëtarëve të familjes. Sigurimi fuqiplotë për shumë kohë i diktatorit Hoxha u vendos që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që të zbulonte të gjitha tentativat opozitare apo protestat antikomuniste. Burimet e Shërbimeve Sekrete Perëndimore besojnë se më shumë se 10 mijë vetë kanë punuar në shërbimet e fshehta shqiptare. Pas rënies së regjimit në vitin 1991, gjashtë vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës, Sigurimi u shndërrua dhe u zëvendësua nga Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK).

Mediat shqiptare në mënyrë të rregullt kanë botuar dosje të bashkëpunëtorëve për figura publike, pa u përmendur emrin, por vetëm pseudonimin, të cilët kishin punuar për Sigurimin. Thashethemet vazhdojnë akoma të qarkullojnë për ish-bashkëpunëtore të Sigurimit, që janë në politikë apo anëtarë të Kuvendit, shkruan më tej AFP-ja. “Ligjet e deritanishme nuk kanë mundur të mbyllin këto spekulime, me disa përjashtime, dhe të përjashtojnë nga jeta publike ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit”, - citohet nga kjo agjenci Kastriot Dervishi, drejtori i Arkivave në Ministrinë e Brendshme shqiptare. Parlamenti pritet të bëjë një tjetër draft ligjor, për të përjashtuar nga jeta politike ish-funksionarët e policisë sekrete. Por debati mes qeverisë dhe opozitës ka lënë shumë të pabindur për sa i përket konkretizimit të kësaj nisme. “Në vend që të ndihmojnë të vërtetën që të dalë jashtë, morali i politikanëve ka mbushur çështjen me manipulime prej vitesh dhe ka ndihmuar politikanët shqiptarë që të mbajnë shoqërinë peng”, - tha për AFP-në shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare. “Vetëm fundi i këtyre spekulimeve do të bëjë të mundur që politika dhe shoqëria shqiptare të pastrohen nga ethet dhe errësira e dosjeve”, - tha më tej Kadare. Ramiz Aliaj, i cili zëvendësoi Hoxhën dhe ishte Presidenti i fundit komunist në Shqipëri, është shprehur në favor të hapjes së dosjeve, por paralajmëron, pasi sipas tij, “nuk mund të sjellë ndonjë gjë të dobishme”. “Ka një nevojë të hapen dosjet”, - tha Ramiz Aliaj, por që këmbëngul se “arkivat janë shkatërruar, selektuar dhe manipuluar nga të gjitha qeveritë pas rënies së komunizmit”.

Burime të pakonfirmuara nga Shërbimi Sekret Shqiptar thonë se zyrtarët komunistë nisën shkatërrimin e arkivave më herët se në vitin 1991, duke dashur të eliminojnë mundësitë e bashkëpunimeve, një praktikë që, sipas burimit, kanë vazhduar në vijim nga të gjitha qeveritë demokratike.

Në vitin 1997, gjatë rebelimit civil të armatosur, pas rënies së piramidave, disa dosje u gjeten lehtësisht të ruajtura afër bodrumeve të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë. Grupet e armatosura, me shpresën se mund të gjenin rezerva shtetërore të floririt, u dëshpëruan që nuk i gjetën dhe i hodhën dokumentet që gjetën në lumë. “Vetëm rreth 30 mijë dosje kanë mbetur në arkivë, shumë prej të cilave u përkasin vetëm pak njerëzve të njohur apo ish-bashkëpunëtorëve që tashmë kanë vdekur”, - pohon më tej Dervishi. “Rreth 500 emra nga pjesa më aktive e ish-bashkëpunëtorëve janë fshirë me kujdes nga regjistri i ish-Policisë Sekrete... Ekspertë të huaj e kishin të pamundur të verifikonim më shumë se 20 prej tyre”, - thotë më tej Dervishi. Media shqiptare ka raportuar se mendohet që janë zhdukur midis 27 mijë deri në 60 mijë dosje sekrete në dy dekadat e kaluara. Ekzistenca e dosjeve vazhdon të jetë frika e shumë shqiptarëve dhe tepricat që kanë mbetur mund të përdoren për manipulime apo për shantazhe.

Ligji për pastërtinë e zyrtarëve, ende në sirtarët e Kuvendit

Politika ende nuk ka gjetur vullnet për miratimin e një ligji për “Pastërtinë e figurave zyrtare”. Pavarësisht ekzistencës së disa projekt-drafteve dhe përmirësimit të njëpasnjëshëm të tyre sipas eksperiencës më të mirë në Lindje, përsëri nuk ka një konsensus për kalimin e këtij ligji. Demokratët janë të bindur se ka një qëndrim të dyfishtë nga Partia Socialiste për ligjin e dosjeve. Sipas deputetit demokrat Aldo Bumçi, nuk është e qartë pse PS-ja nguron për miratimin e ligjit. Por herë pas here, hezitimi i socialistëve është lidhur me origjinën e kësaj partie, e cila vjen nga Partia e Punës e Shqipërisë. Në këtë prizëm, PD-ja njëkohësisht i ka bërë thirrje PS-së që të shkëputet nga e kaluara e diktaturës komuniste, e cila mori jetë njerëzish të pafajshëm dhe të miratojë në Kuvend ligjin e pastërtisë së figurave. Partia Socialiste nga ana tjetër e ka parë një ligj të tillë si një shantazh politik nga e djathta, që bëhet në prag të zgjedhjeve të vitit 2009. Sipas draftit të propozuar nga deputeti demokrat Bumçi, duhet të verifikohen nga një komision konsensual të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme, si Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi. Zyrtarët që do të verifikohen janë anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e Përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e Përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive; funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme. Njëkohësisht do të verifikohen guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë, funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”; prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut, si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; anëtarët e këshillave të qarkut, si dhe të këshillave bashkiakë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›