E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Eleminohet “Dushku”, numërimi transparent dhe komisionerët me short

Ekspertët ligjorë, përkatësisht nga PD-ja dhe PS-ja, kanë mbrojtur dje Kodin e ri Zgjedhor, që sipas tyre, “është transparent, mbron votën dhe eliminon “Dushkun”. Damian Gjiknuri, eksperti i PS-së, tha se të gjitha ndryshimet janë bërë në sajë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Sipas tij, numri i komisionarëve, që është edhe pika më e nxehtë e debatit, është menduar që numri shtatë është më i pranueshmi. “Gjithmonë është e vështirë se sa do të jetë numri, po të paktën u nisëm nga një praktikë, e cila ka qenë e aplikueshme në Shqipëri përpara ndryshimeve që iu bënë kodit në vitin 2006. Numri 7 ishte menduar një numër normal për një organ kolegjial, që të funksionojë nga pikëpamja administrative, që do të thotë të ketë një numër të mjaftueshëm njerëz, që do të debatojnë brenda një organi kolegjial, por mbi të gjitha të marrë edhe vendime. Shtimi i numrit jo domosdoshmërish sjell edhe cilësi në vendimmarrje dhe ka sjellë edhe probleme të vazhdueshme në administrimin e zgjedhjeve”, - tha Gjiknuri. Sipas ekspertit ligjor të PD-së, Oerd Bylykbashi, numri i komisionarëve është vendosur 7 për shkak të efikasitetit. “Tradita shqiptare ka provuar që ende për të krijuar besimin midis palëve, që janë në zgjedhje, por edhe duke garantuar efikasitetin e punës në komision, komisione me numra të mëdhenj praktikisht janë të pamundur që të menaxhohen dhe krijohen situata bllokimi, të cilat nuk i shërbejnë procesit zgjedhor, të cilit jo vetëm i shërben transparenca dhe efikasiteti, por na duhet edhe koha e shkurtër në nxjerrjen e rezultateve, në mënyrë që të ketë edhe stabilitet gjatë procesit”, - tha Bylykbashi. Ekspertët komentuan edhe çështjen e “Dushkut”. Sipas tyre, ky sistem eleminon ligjërisht dhe praktikisht votën taktike. “Ky sistem nuk e bën të mundur më këtë, për shkak se subjektet zgjedhore votohen nëpërmjet një vote të vetme nga zgjedhësit, pa pasur mundësinë që zgjedhësi të hedhë një votë për një subjekt dhe pastaj për një subjekt tjetër. Për rrjedhojë, asnjë parti politike apo kandidat nuk ka interes që votën e tij ta shpërndajë tek të tjerat, sepse kërkon që të maksimalizojë rezultatin e tij. Për rrjedhojë “Dushku” me këtë sistem, me sistemin proporcional nuk ka mundësi që të aplikohet ashtu siç e njohim ne”, - tha Bylykbashi. Eksperti i PS-së, Gjiknuri, vuri theksin edhe tek risitë e këtij kodi, të cilat janë mjetet teknologjike si kamerat, të cilat do të bëjnë të mundur vëzhgimin e procesit të numërimit të votave. Ai tha se dy komisionerët e partive të vogla do të zgjidhem me short. “Në këtë kod deri diku ka zgjidhje origjinale që nuk është aplikuar më parë në Shqipëri, që çon në reduktimin e anëtarëve të grupeve të numërimit të votave deri në 4 vetave, ku 2 do të jenë gjithmonë nga partitë e vogla, pa specifikuar se kush, sepse do t’i përcaktojë shorti dhe mbi të gjitha në detyrimin për futjen e teknologjisë në numërimin e votave. Mbase kjo pa dashje anashkalohet ndonjëherë, por kjo ndikon realisht shumë në transparencën e numërimit të votave, do të thotë që çdo parti, pavarësisht se nuk ka anëtarë në grupet e numërimit, ka mundësinë në kohë reale dhe zëre sikur të ishte në tavolinën e numrit të kontestojë votën dhe vëzhguesit kanë po aq të drejta sa ç’kanë edhe anëtarët e grupit të numërimit të votave”, - shtoi Gjiknuri.

D’Elia: Zgjidhja të gjendet në rrugë parlamentare

Ambasadori italian ka shprehur dje mbështetjen për zgjidhjen e çështjes së deputetëve që kane hyrë në grevë urie kundër Kodit Zgjedhor. Saba D’elia, kreu i ambasadës italiane në vendin tonë bëri të ditur se grevën e sheh si mjaft demokratike dhe të vendosur. D’Elia i bëri thirrje partive politike në vend, që të arrijnë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët, ndërsa e vlerëson grevën e 10 deputetëve si një nismë demokratike. “Sigurisht që jam në dijeni të grevës së 10 deputetëve, e cila në gjykimin tim është një nismë demokratike dhe shumë e vendosur siç është vërejtur deri tani. Gjithsesi, unë uroj që të gjendet sa më pare një zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët dhe e gjitha kjo të bëhet në rrugë parlamentare”, - deklaroi ambasadori D’Elia. Këto komente zoti D’Elia i bëri pasi asistoi në stërvitjen e përbashkët ushtarake italo-shqiptare të quajtur “Era e Paqes”. Ndërkohë që mesazhi i ardhur gjatë javës së shkuar nga ana e KE-së ishte ai i miratimit sa më parë të një Kodi të ri Zgjedhor, por ky i fundit të jetë transparent, i pakontestueshëm dhe të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Njëkohësisht kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar një takim edhe me katër ambasadorë të rëndësishëm të vendeve të BE-së, mes tyre edhe Helmuth Lohan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›