Topi nga Qipro: Të bashkëpunojmë më shumë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi dje në Takimin Ndërkombëtar “Qytetërimi i Paqes: Besime dhe kulturë në Dialog” në Qipro se popujt duhet të bashkëpunojnë më shumë në kushtet e globalizmit në mënyrë që edhe qytetërimet të ruhen. “Bota e sotme na ofron një mozaik shumëpolar dhe një realitet ku kufijtë midis qytetërimeve nuk janë më të prera dhe të përcaktuara si ato të shteteve, ato janë hapësira ku shkrihen natyrshëm historitë, besimet, kontributet, përpjekjet, kulturat për të formuar një qytetërim të vlerave të përgjithshme. Besimi mes popujve, njohja e thellë e historisë së kaluar e të tashme, respekti reciprok i besimeve dhe i racave, janë faktorët besnikë që duhet të ushqejnë ndjenjat dhe konceptet e njerëzimit për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme dhe të kudondodhur”, - tha Topi. Ai shtoi se procesi i globalizimit po ndihmon afrimin mes popujve. “Popujt, këta arkitektë të qytetërimeve, po pësojnë sot efektet e globalizimit dhe të integrimit, por jo shkrirjen apo zhdukjen e tyre. Globalizimi ka sjellë kudo mënyra të shpejta dhe teknologji bashkëkohore të komunikimit, të shkëmbimit dhe ndërnjohjes së zhvillimit, të kulturës, të artit, të vlerave të kombeve pavarësisht largësisë mes tyre”, - tha në fjalimin e rastit Presidenti Topi.