Fantazmat e stadiumit të Fitores
Kanë kaluar 17 vjet që nga ai 8 gusht i tmerrshëm i vitit 1991. Një ditë e paharrueshëm për popujt që i ndan një det. Disa janë munduar ta fshijnë atë datë si të mos kishte ndodhur kurrë. Angelo Amoroso, regjisor dhe autor i dokumentarëve e filmave me metrazh të shkurtër, me një përvojë të gjatë mbi supe në kinemanë e pavarur, i ka jetuar ato ditë të eksodit shqiptar dhe ka xhiruar çfarë ndodhi mes portit dhe stadiumit të Barit. Nga këto imazhe lindi fillimisht një film me metrazh të shkurtër me titull “Vlora 1991-deti brenda” i prezantuar edhe në festivalin “Arcipelago” të Romës. Gjatë këtyre viteve regjisori barez i ka dhënë jetë një projekti të ri, për të treguar se çfarë ndodhi në atë ditë gushti. Me të gjetur financimet regjisori ka nisur kërkimet. Faza e parë nisi në vitin 2007 me 4 orë regjistrime të realizuara në atë kohë, por edhe në ditët e sotme. Regjisori është vënë në kërkim të atyre fytyrave të fiksuara në kamera. Dhe puna e tij zhvillohet tashmë mes Shqipërisë dhe Italisë. Ka arritur të mbledhë dhjetëra dëshmi. Faza tjetër përfshin kërkimin nëpër arkivat e RAI-t, ku ka kaluar 2 muaj. I gjithë ky material vjen në dokumentarin “Lo Stadio della Vittoria”. Çfarë ndodhi ato ditë në stadiumin ku u vendosën të arratisurit? Luftë për mbijetesë, ngjarje të rënda, që ende faniten në Stadiumin e Fitores, i rikonstruktuar, pa mundur të fshijë të kaluarën.