Majko: Pa një koordinim nuk ka fitore të opozitës
Ish-kryeministri: Sali Berisha, si Li Pengu
Ish-Kryeministri vlerëson se opozita duhet të gjejë gjuhën e përbashkët para zgjedhjeve të ardhshme
Z.Majko, pozita dhe opozita japin vlerësime krejt të ndryshme në lidhje me ecurinë e sesionit që sapo u mbyll parlamentar. Keni ju një vlerësim tuajin për të, ndërkohë që vetë Kryetarja e Kuvendit e ka konsideruar të jashtëzakonshëm?
Sesioni ka qenë goxha i ngarkuar qoftë në ngjarje pozitive, qoftë edhe në ato negative. Por gjithsesi ngandonjëherë mbyllja është ajo që i vendos vulën çdo gjëje. Kështu edhe në rastin e Kuvendit, seanca e fundit mund të konsiderohet edhe më e turpshmja e sesionit, e kam fjalën për debatin midis kryeministrit Berisha dhe deputetit Taulant Balla. Pavarësisht nga elementë të veçantë pozitivë që mund të ketë pasur gjatë këtij sesioni, mbyllja, do të thosha se i dha një vulë shumë negative, për të mos e konsideruar si një sesion që çdo gjë ka vajtur fjollë. Në këtë pikëpamje mendoj se ia vlen ta kujtosh këtë sesion në sensin e mospërsëritjes të shumë elementëve të cilët e kanë rënduar situatën politike në vend. Ka një tendencë shumë të çuditshme që duket sa e re, aq edhe e vjetër, për të glorifikuar gjithçka dhe për të mos pranuar asnjë moment negativ nga ana e përfaqësuesve të shumicës dhe sigurisht që kjo të kujton situatën e pas viteve ‘80 ku gjithçka ishte duke shkuar drejt negatives dhe deklaratat ishin sikur çdo gjë po shkonte në drejtimin e duhur dhe gjithçka ishte sipas arritjeve të planeve pesëvjeçare. E them këtë në sensin e një memorieje që në fund të fundit, nuk duhet harruar. Ne vijmë nga një shoqëri e cila sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit, nga ‘80 deri në ’90, në kushtet e izolimit, orientoi një princip shumë të dëmshëm brenda vetvetes, orientoi principin e gënjeshtrës dhe të bashkëjetesës me këtë princip. Ripërsëritja edhe në kushtet e demokracisë, përveç efektit negativ, ka një moment shumë imoral brenda, nuk do të thoja fjalën korruptiv, sepse besoj se është më e thellë se kaq.
Partia Socialiste kishte bërë të ditur që përpara se të ndodhin këto zhvillime të fundit ndërmarrjen e një nisme për një mocion mosbesimi ndaj Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Pse u tërhoqët?
Këtu ka një moment mbingarkese nga ana e sjelljes së opozitës, sepse në rast se do ta ndërmerrnim këtë hap, ky do të përbënte mocionin e tretë drejtuar Kryetares së Kuvendit, dhe sjell një moment përsëritjeje. Për të qenë me këmbë në tokë, ka patur një kujdes nga ana e PS-së në këtë çështje, e lidhur kjo edhe me disa elementë të rëndësishëm, të cilët në një mënyrë apo tjetër kërkojnë një lloj statusquoje, siç është fjala për reformën zgjedhore, apo për elementë të natyrave të tjera, të cilat e rrezikojnë sistemin politik dhe jo thjesht balancën e marrëdhënieve institucionale në Shqipëri. E them këtë sepse reforma zgjedhore këtë radhë në Shqipëri nuk është aq e thjeshtë sa të tjerat që janë bërë më parë, pas viteve 1990. Reforma zgjedhore e tanishme ka të bëjë me funksionimin e sistemit politik. Pa këtë reformë zgjedhore ne nuk do të kemi një sistem politik funksional, por në të kundërt, do të kemi një kolaps politik. Kjo pasi Kushtetuta e ndryshuar kërkon me patjetër një Kod të ri Zgjedhor dhe pa këtë Kod ne nuk mund të kemi zgjedhje në Shqipëri. Kjo, e thënë në kuptimin më të thjeshtë dhe më të përbërë të fjalës. Pra, duke u rrezikuar një kolaps nga ana e PS-së, ka patur një lloj kujdesi për të mos hedhur hapa të cilat realisht mund të godisnin procesin e reformës zgjedhore. Sigurisht, këtu ka njerëz që janë të respektuar në dyshimet e tyre se mos PS po bën ndonjë koncesion, se mos ndokush është i “kapur”, se mos i ka blerë Berisha përfaqësuesit e PS-së, dhe në fund të fundit, harrohet se ke të bësh me politikanë që kanë një jetë dhe marrëdhënie shumë të gjatë me Berishën, dhe nuk ka mbetur 2008 për të provuar se çfarë ka ndodhur nga 1990 deri në 2008. Në këtë këndvështrim mendoj se me gjithë riskun që ekziston për këtë marrëdhënie të kujdesshme të PS-së me qeverinë, kjo gjithsesi mendohet se është një moment kalimtar, pasi me kalimin e pushimeve të gushtit dhe me shtator-tetorin mendoj se ecja në dy shina, qoftë me reformën dhe qoftë me përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2009, mendoj se do të davarisë çdo histori apo insinuatë që mendoj se ka të bëjë me mënyrën sesi PS po e bën opozitën, apo se si po i hedh hapat, të cilat sipas mendimit tim, kujdesi në çdo rast është një cilësi dhe nuk është një trajtim i cunguar i të bërit opozitë.
Kjo periudhë u karakterizua edhe nga disa momente kulminante, përsa i përket bashkëpunimit pozitë-opozitë për reformat, kryesisht për atë kushtetuese. Ndërkohë, kohët e fundit pamë disa përpjekje të mazhorancës për të anashkaluar opozitën, siç ishte rasti i dekreteve të Presidentit apo dhe ligji për dosjet. A mendoni se mazhoranca ka përfituar nga gatishmëria e opozitës për të dhënë konsensus për çështjet madhore?
Nuk është sekret, të thuhet që marrëdhënia e partneritetit me Kryeministrin aktual pothuajse është e pamundur. Berisha është tipi i politikanit që është ndërtuar dhe formësuar si politikan jo thjesht pas viteve ‘90, pasi ai vjen nga një begraund i cili në fund të fundit e ka bërë atë shumë kontradiktor. Marrëveshjet me Berishën funksionojnë deri në momentin që historia zhvillohet brenda kuadrit që mentaliteti i doktorit e konsideron barazim. Ky është maksimumi i mundshëm i balancës me këtë individ. Pastaj, në çdo rast, ke të bësh me një njeri që pret të hedhësh një hap i cili mund të sjellë përfitime politike tek personi i Sali Berishës. Në këtë pikëpamje, mendoj se shpesh kërkesa e PS-së për partneritet nuk ka patur një përgjigje të njëjtë. Duke legalizuar problemet, dështimet e veta, politika shqiptare ka fiksuar në memorien e publikut, por edhe të politikanëve, gjëra që nuk duhet bërë. Në këtë lloj pikëpamjeje, jam dakord me ju se ka një lloj ankthi, shpesh edhe dyshimi, lidhur me mënyrën se si po ndërtohen marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës. Por besoj se nuk mund të kërkohet një cilësi më e lartë e politikës sesa ajo që prodhohet nga qeverisja. Duhet ta pranojmë se shpesh, cilësia e politikës është e varur nga cilësia e qeverisjes dhe jo me cilësi të të bërit opozitë. Nuk dua ta trajtoj si një moment sekondar çështjen e të bërit opozitë, por dëshiroj të them se ajo që ka të bëjë me produktin kryesor të politikës, ka të bëjë me qeverisjen. Ajo që më çudit shpesh është se sot, një pjesë e diskutimeve shtrohen jo për mënyrën se si duhet organizuar qeverisja dhe arrihet deri në atë moment ku Berisha trajtohet si një e keqe e cila duhet të qëndrojë dhe nuk ke pse të merresh me të, por shpesh diskutohet se si duhet bërë opozita. Kjo në fakt është një sëmundje e vjetër që na ka ndjekur ne të majtët, të cilët janë të gatshëm shpesh, që siç e themi me njëri-tjetrin me shaka, që edhe fitoren më të mirë ta kthejmë në humbje me debate, shpesh të natyrave shterpe.
Një çështje që ka mbetur pezull në Kuvend është edhe ajo e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Mendoni se vërtetë politika ka vullnet t’i hapë ato, apo kjo çështje do mbetet gjithmonë një mjet për të shantazhuar kundërshtarin?
Historia e dosjeve duhet të mbyllet përfundimisht, duhet të mbyllet në një mënyrë të moralshme dhe jo politike. Dosjet kanë qenë eminenca gri e politikës shqiptare. Në këtë kuadër mendoj se keqtrajtimi i kësaj çështjeje dhe futja në trajtime të historisë, kam përshtypjen se nuk do na nxirrte asgjëkund. Ajo që mund të diskutohet sot me qetësi është fakti se çdokush që ka fshehur një pjesë të kaluarës së tij, ajo duhet të bëhet publike dhe kjo, jo në sensin e përjashtimit, por në sensin se në qoftë se dëshiron të jesh figurë publike në Shqipëri, gjithçka nga e kaluara jote duhet të jetë publike. Këtë e kanë bërë të gjithë njerëzit që kanë anëtarë të Partisë Komuniste, e kanë bërë të gjithë ata që kanë në organet e drejtësisë në atë periudhë, këtë duhet ta bëjnë dhe të gjithë bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Këtu nuk është fjala për të mallkuar një pjesë njerëzish, që në një mënyrë apo tjetër, me detyrim apo jo, i kanë shërbyer regjimit komunist sepse nuk kanë qenë as të parët dhe as të fundit që e kanë bërë këtë, por për të larguar përfundimisht atë ngjyrë hiri që ka rënduar mbi politikën shqiptare që nga Dhjetori ‘90 deri më sot.
Cili do të jetë fati i kësaj nisme në sesionin e ardhshëm parlamentar?
Është e pashmangshme diskutimi i kësaj teme në Parlamentin Shqiptar. Problemi është se si do ta trajtojë Berisha dhe të vetët, një histori që për kaq vite e kanë keqtrajtuar për arsye thjesht politike. Kjo ka bërë që kjo histori të degjenerojë në atë pikëpamje sa sot, kur publikohen pseudonimet e politikanëve në shtypin publik, nuk ka asnjë reagim. Në një shoqëri normale ku nuk funksion principi i gënjeshtrës, deklarimi, qoftë edhe i një pseudonimi të një politikani, do të kishte efektin e një bombe të vërtetë. Ndërsa në marrëdhëniet e brendshme të shoqërisë shqiptare ka një lloj mpirje, e cila vjen nga kjo e kaluar, por edhe nga keqtrajtim i krerëve të politikës në marrëdhëniet me shoqërinë shqiptare, gjë që arrin deri aty sa të duket normale jo vetëm thjesht deklarimi i pseudonimeve të disa politikanëve, por edhe heqja e emri, për shembull, të krijuesit të shtetit shqiptar Ismail Qemali nga Universiteti i Vlorës, të ndjekjes penale “Për zhdukje personi” të Drejtorit të Tatimeve, të akuzave të përditshme për ngjarjen e Gërdecit dhe trafikun e armëve. Nga ky vërshim faktesh vjen një moment ku shoqëria mpihet, ku çdo gjë duket normale dhe dalëngadalë fillon e quhet marrëdhënia me të keqen.
Z.Majko, shpeshherë, gjatë debatit për tragjedinë e Gërdecit, kryeministri Berisha ju ka sulmuar edhe ju, duke lënë të kuptohet se ju si ish-ministër i Mbrojtjes keni patur dijeni për tregtinë e armëve. Si do t’i vlerësoni këto akuza?
Po të ishte respektuar ai sistem dhe ato rregulla të shkruara nga ushtarakët në 2005, Gërdeci nuk do të ndodhte. Mendoj se ky është një proces nën hetim dhe çdo fjalë e tepërt do të ishte politikë. Në këtë çështje, për herë të parë, institucionet shqiptare ndodhen në hetim njeri në Shqipëri dhe tjetri përtej Atlantikut. Për këtë arsye jam i bindur në konkludimin e suksesshëm të këtij hetimi. Pastaj çdo histori lidhur me përgjegjësitë që deklarohen nga ana e doktorit në Parlament, meqenëse është dhe deputetë i një zone të nderuar, konsiderohen “llogje Kavaje”.
Muajt e fundit, është vënë re dhe një përplasje e vazhdueshme mes Presidentit dhe Kryeministrit për disa çështje. Si do ta vlerësoni këtë konflikt dhe a pengon ai mirëqeverisjen e vendit?
Mendoj se kjo që po ndodh është e vërtetë, por dua të them se edhe më parë, Bamir Topi dhe Sali Berisha nuk kanë qenë mjaltë në marrëdhëniet e brendshme midis tyre. Nga informacionet që kam pasur dhe kemi, qoftë në pushtet por edhe në opozitë, edhe për publikun e gjerë, ishte e qartë se Bamir Topi ishte diçka tjetër dhe Sali Berisha diçka tjetër. Kështu që edhe kjo marrëdhënie e tanishme mendoj se nuk është diçka tjetër veçse një marrëdhënie njerëzore, që për koinçidencë ka kaluar si një marrëdhëniet institucionale midis institucionit të Presidentit dhe Kryeministrit. Por siç ndodhin shpesh në Shqipëri, gjërat personale kthehen në marrëdhënie institucionale dhe ne harrojmë të kuptojmë se gjërat brenda një sistemi kanë të bëjnë jo me cilësitë e individëve, por me gëra që janë shumë më tepër. Shpesh këto fenomene kanë sjellë që përsëri politika shqiptare të jetë e rrezikuar nga zgjidhje që nuk vijnë nga brenda sistemit, por nga jashtë tij, gjëra të cilat në një mënyrë apo tjetër, tregojnë karakterin e brishtë të institucioneve në Shqipëri. Gjithsesi, kjo është një histori që do të ketë vazhdim dhe nuk është se ka një konkluzion, prandaj është mirë që të presim dhe të shikojmë.
Kryeministri Berisha sapo përfundoi një vizitë në Kinë, gjatë se cilës lëshoi edhe disa deklarata sa të çuditshme, aq edhe qesharake, duke hequr vija paralele midis Partisë Demokratike dhe Partisë Komuniste Kineze...
Mendoj se vërtetë kanë një paralele. Si një njeri që kam filluar politikën me lëvizjet studentore, normalisht, them se historia e PD-së nuk mund të krahasohet me historinë e Partisë Komuniste Kineze. Por një paralele, sigurisht e kanë. Në qoftë se PK Kineze ka një Tinamen në historinë e vet, edhe PD ka një 1997 në historinë e vet. Paralelja është e një natyre të tillë, që ka të bëjë pikërisht me urdhrin për të futur ushtrinë kundër civilëve. Padyshim kinezët janë një cilësi tjetër e botës njerëzore. Ajo që pamë të zhvillohej në Pekin në hapjen e Lojërave Olimpike ishte vërtetë një cilësi që e tejkaloi Kinën dhe përfaqësojë globin.
Z.Majko, kohët e fundit janë shtuar zërat brenda vetë PS-së për domosdoshmërinë e një opozite ndryshe, më agresive. Cili është komenti juaj për këtë çështje?
Kam përshtypjen se kjo vjen më tepër nga mpirja që po funksionon në një pjesë të shoqërisë shqiptare lidhur me një “bombardim” të fakteve të cilat normalisht nëse do të ndodhnin në vendet e tjera, do të krijonin histori më vete përsa i përket marrëdhënieve politike. Ato që ndodhin një herë në disa vite në Perëndim, në Shqipëri ndodhin një herë në disa muaj. Gjë, që në një mënyrë apo në një tjetër e ve nën një presion shpeshherë matanë të mundshmes opozitën në Shqipëri dhe veçanërisht partinë më të madhe të opozitës, PS-në. Pastaj diskutimi se si po bëhet opozita shpeshherë vjen për shkak të kontradiktave brenda së majtës sesa për një marrëdhënies të PS-së apo të vetë opozitës me publikun. Sot, më tepër sesa si po bëhet opozitë, pyetja që shtrohet më shumë, është a do të bashkohet opozita për të bërë opozitë të fortë.
E shihni të mundshëm bashkimin e opozitës para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare?
Nuk besoj se tani ia vlen të japim gjykime, të cilat më tepër do të ishin një lloj presioni mbi opozitën për t’u bashkuar. Besoj se ky është një proces që në një mënyrë apo në një tjetër, duhet të jetë i natyrshëm. Por për diçka jam i bindur, pa një koordinim dhe bashkëpunim të opozitës, vështirë se votuesit e të majtës në 2009 do të ndiheshin të lumtur 24 orë pasi të kishin votuar. Nëse ata do të liheshin përsëri në opozitë, atëherë e gjithë kjo histori e ndarjeve, e dyshimeve, shitjeve, tradhtive, do të ishte ironike dhe padyshim e pavlerë.
Faktikisht, z.Majko, ndarja që ekziston në kokën e opozitës është e pranishme dhe në bazë?
Opozita ka identitetet e veta, ka partitë e veta. Kështu që ndarjet janë të natyrshme dhe ndonjëherë kanë të bëjnë me identitetin e tyre. Problemi është që në këtë moment, kur realizisht presioni është i veçantë edhe nga ana e qeverisjes, mendoj se këtu ka vend goxha për të reflektuar. Por ky është një proces që duhet të vazhdojë vetë, pasi kam besimin se kjo histori nuk do të përfundojë me ndarje.
Duke patur parasysh dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, cila është forma që do t’i shërbente më shumë opozitës për të dalë në zgjedhje. Pra, duhet një koalicion parazgjedhor apo ai mund të arrihet edhe pas zgjedhjeve?
Të presim një herë të diskutohet Kodi Zgjedhor. Brenda formulimit të neneve të tij, do të jenë dhe përgjigjet e këtyre pyetjeve, por besoj se është ende herët për të folur rreth këtij procesi. Ajo që për momentin nuk po funksion siç duhet brenda radhëve të opozitës, nuk ka të bëjë me mënyrën se si do të formatohet matematika brenda saj. Ajo që kërkohet tashmë është cilësia, dhe që deri më tani është lënë shumë pas dore për shkak të matematikës. Kjo u ndje deri diku në zgjedhjet lokale dhe me fitoren e tyre, në një mënyrë apo në një tjetër, matematika dhe cilësia janë anë jo të së njëjtës balancë brenda se majtës. Kur të arrijmë t’i koordinojmë këto dy elementë, do të kemi se ç’të themi dhe për të ardhmen.
Për Kuvendin
“Seanca e fundit mund të konsiderohet edhe më e turpshmja e sesionit, e kam fjalën për debatin midis kryeministrit Berisha dhe deputetit Taulant Balla. Pavarësisht nga elementë të veçantë pozitivë që mund të ketë pasur gjatë këtij sesioni, mbyllja do të thosha se i dha një vulë shumë negative”.
Për koalicionin
“Ajo që kërkohet tashmë është cilësia, dhe që deri më tani është lënë shumë pas dore për shkak të matematikës. Kjo u ndje deri diku në zgjedhjet lokale dhe me fitoren e tyre, në një mënyrë apo në një tjetër, matematika dhe cilësia janë anë jo të së njëjtës balancë brenda se majtës”.
Për bashkimin
“Jam i bindur pa një koordinim dhe bashkëpunim të opozitës, vështirë se votuesit e të majtës në 2009 do të ndiheshin të lumtur 24 orë pasi të kishin votuar. Nëse ata do të liheshin përsëri në opozitë, atëherë e gjithë kjo histori groteske e ndarjeve, e dyshimeve, shitjeve, tradhtive, do të ishte ironike dhe padyshim e pavlerë”.
Për opozitën
“Diskutimi se si po bëhet opozita shpeshherë vjen për shkak të kontradiktave brenda së majtës sesa për një marrëdhënies të PS-së apo të vetë opozitës me publikun. Sot më tepër sesa si po bëhet opozitë, pyetja që shtrohet më shumë, është a do të bashkohet opozita për të bërë opozitë të fortë”.
Për Presidentin
“Në Shqipëri gjërat personale kthehen dhe marrëdhënie institucionale dhe ne harrojmë të kuptojmë se gjërat brenda një sistemi kanë të bëjnë jo me cilësitë e individëve por me gjera që janë shumë më tepër. Shpesh këto fenomene kanë sjellë që përsëri politika shqiptare të jetë e rrezikuar nga zgjidhje që nuk vijnë nga brenda sistemit, por nga jashtë tij”.
Për dosjet
“Problemi është se si do ta trajtojë Berisha dhe të vetët, një histori që për kaq vite e kanë keqtrajtuar për arsye thjesht politike. Kjo ka bërë që kjo histori të degjenerojë në atë pikëpamje sa sot, kur publikohen pseudonimet e politikanëve në shtypin publik, nuk ka asnjë reagim”.
Për Gërdecin
“Mendoj se ky është një proces nën hetim dhe çdo fjalë e tepërt do të ishte politikë. Në këtë çështje, për herë të parë, institucionet shqiptare ndodhen në hetim, njeri në Shqipëri dhe tjetri përtej Atlantikut. Për këtë arsye, jam i bindur në konkludimin e suksesshëm të këtij hetimi. Pastaj çdo histori lidhur me përgjegjësitë që deklarohen nga ana e doktorit në Parlament, meqenëse është dhe deputet i një zone të nderuar, konsiderohen “llogje Kavaje”.
Për Berishën
“Mendoj se vërtetë kanë një paralele. Si një njeri që kam filluar politikën me lëvizjet studentore, normalisht, them se historia e PD-së nuk mund të krahasohet me historinë e Partisë Komuniste Kineze. Por një paralele, sigurisht e kanë. Në qoftë se PK Kineze ka një Tinamen në historinë e vet, edhe PD ka një 1997 në historinë e vet. Paralelja është e një natyre të tillë, që ka të bëjë pikërisht me urdhrin për të futur ushtrinë kundër civilëve”.