E Diel, 1 Nëntor 2026

"Faqja e zezë" e rrugëve tëpashtruara të Shkodrës

28/01/2005  

Qyteti, që pret nga ’85 ndërtimin e një Unaze, është pothuajse plotësisht i përmbytur

SHKODËR - Gjendja e mjerueshme e rrugëve të qytetit të Shkodrës më shumë se asnjë herë, ndoshta është vënë re gjatë ditëve të fundit. Dëborat e njëpasnjëshme të rëna gjatë javës së kaluar dhe ditëve të para të kësaj jave, si dhe shkrirja e dëborës e sasia e madhe e reshjeve të shiut kanë nxjerrë në pah “faqen e zezë”, siç thonë vetë shkodranët, të rrugëve të qytetit. Rreth 80% e rrugëve janë të pashtruara ose me asfalt të dëmtuar pothuajse plotësisht. Sipas të dhënave të marra nga Bashkia e Shkodrës, gjatësia e rrugëve të qytetit kap shifrën 106 kilometra me një sipërfaqe prej 607 mijë metra katrorë, ku vetëm Unaza ka një gjatësi 12 kilometra me gjerësi 10.5 metra.

Rrugët

Qyteti i Shkodrës, që para dy dekadash, i jepte përparësi shtrimit dhe mirëmbajtjes jo vetëm të rrugëve, por edhe kanaleve anësore, sot po përjeton shkatërrimin në masë të tyre. Po t’i referohemi statistikave, vihet re se pas vitit 1990 kemi një investim të pakët në shtrimin dhe asfaltimin e rrugëve të qytetit. Kështu, vetëm në vitet e fundit është punuar dhe janë rregulluar në kushte optimale tre akset e gjera të qytetit si ai i lagjes Perash, i rrugës së gjerë nga “Radio Shkodra” deri në Kiras, si dhe rruga e spitaleve. Rikonstruktimi i këtyre akseve, megjithëse i rëndësishëm, është mjaft i vogël në krahasim me rrugët e qytetit. Një vështrim i shkurtër në këto rrugë të jep përshtypjen se në to ka pasur “bombardime”, thonë vetë qytetarët. Përshtypja e shkatërrimit të theksuar të rrugëve të krijohet sapo sheh gropat e gjera dhe të thella në çdo rrugë, ku shoferët sapo mundohen të kalojnë njërën bien te tjetra. Qyteti i Shkodrës, që mendohet të jetë metropoli i Veriut, akoma nuk ka unazë. Projekti i unazës u bë dhe filloi të zbatohej që në fillim të vitit 1984, por, pas vitit 1990, nuk është bërë asnjë investim, madje edhe investimi që ishte bërë në fillim u dëmtua.

Projekte

Burime nga Bashkia shprehen se është hartuar një projekt për unazën dhe është llogaritur një kosto prej 2,5 milionë dollarë shumë kjo që nuk ka ardhur asnjëherë nga buxheti i shtetit. Mosfunksionimi i unazës ka bërë që të gjitha automjetet të kalojnë në rrugët kryesore të qytetit, duke krijuar herë pas here edhe probleme në qarkullim. Një rrezikshmëri të lartë, qoftë për njerëzit, qoftë për rrugët, paraqet kalimi i automjeteve të tonazhit të rëndë, sidomos në rrugët kryesore të qytetit. Kohët e fundit janë shtuar shumë këto automjete, sidomos nga Mali i Zi. Edhe vetë shoferët, që vijnë nga jashtë, e ndiejnë mungesën e unazës së qytetit. Aktualisht, përveç mungesës së unazës ekzistojnë edhe tre akse të pakalueshme që janë, Shtëpia e Mushkonjës – Zukth-Kashta, Zuktha-Ndocaj dhe Dudas-Kiras. Punonjësit e Bashkisë, që merren me projektet, theksojnë se janë hartuar 7 projekte rikonstruksion rrugësh, por fondet ende nuk na kanë ardhur. Së fundmi, është kërkuar që të paktën për 4 projekte, që kanë të bëjnë me rrugë kryesore të qytetit, të miratohen nga buxheti i shtetit. Pronarët e dyqaneve që ndodhen pranë këtyre rrugëve shprehen se janë tatim-pagues të rregullt dhe kërkojnë që Bashkia t’i shpenzojë një pjesë të këtyre parave për shtrimin e rrugëve. Ata mendojnë se të paktën duhet të kishte transparencë për shpenzimin e parave që ata paguajnë. Asllan Kruja, banor i vjetër i lagjes Rus i Vogël, që ndodhet 200 metra pas teatrit “Migjeni”, shprehet se asnjëherë nuk e ka parë rrugën e tij në këtë gjendje. Ai mendon se Shkodra me rrugët që ka nuk e meriton të quhet më qytet, por një fshat i madh me 3-4 ndërtesa të bukura. Në fakt, jo vetëm Asllani, por edhe po të dëgjosh qytetarët e tjerë të Shkodrës, në lidhje me rrugët, mund të dëgjohet apeli i përditshëm ndaj institucioneve përkatëse, SOS-i që ata lëshojnë për qytetin e tyre.

0 unazë në qytetin e Shkodrës

2.5 milionë dollarë për Unazën

7 projekte rikonstruksioni rrugësh

0 fonde kanë shkuar nga buxheti i shtetit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›