E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëbora rrethon 20 mijë banorë

28/01/2005  

SKRAPAR/ Trashësia shkon deri në 40 centimetër. Bllokuar Qafa e Dervisë

SKRAPAR - Reshjet e rëna 24 orët e fundit kanë bërë që katër komuna të rrethit të Skraparit të izolohen nga bora e dendur. Izolimi i këtyre komunave ka bllokuar edhe rreth 20 mijë banorët e tyre.

Sipas burimeve zyrtare nga grupi i emergjencës të prefekturës së Beratit, mësohet se janë komunat Gjerbës, Leshnje, Potom, Konak, Hambull, të rrethit të Skraparit, të cilat nga reshjet e dëndura të borës, e cila e kalon trashësinë mbi 40 cm kanë mbetur të izoluara dhe rrugët e tyre që lidhen me qytetin dhe Qarkun janë bërë të pakalueshme. Si pasojë janë mbi 20 mijë banorë, të cilëve u janë krijuar vështirësi të theksuara në furnizimin me ushqime dhe me energji elektrike etj. Vështirësi banorëve të këtyre zonave, u janë krijuar edhe në furnizimin me ushqime për bagëtitë.

Zonat e izoluara i ka inspektuar dje kryetari i Qarkut, Pelivan Shatri, i cili ka lënë për pushtetin vendor të këtyre zonave edhe detyrat konkrete për zhbllokimin e rrugëve dhe për ndihmën që duhet t’u japin banorëve të zonave të bllokuara për hapjen e rrugëve.

Më problematike është rruga në Qafën e Dervisë, që lidh dy komunat Gjerbës dhe Konak, rrugën që shkon për në Poton, si dhe rruga që lidh qyteti e Çorovodës me zonën e Çepanit.

Sipas burimeve nga grupi i emergjencës, në drejtim të këtyre zonave janë nisur edhe dy mjete të rënda traktor, për hapjen e rrugëve nga bora dhe furnizimin e zonave me ushqime dhe energji elektrike.

Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nuk kishte ndonjë informacion për zhbllokimin e mundshëm të rrugëve e zonave të izoluara në rrethin e Skraparit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›