E Diel, 1 Nëntor 2026

Izolimi i rrugëve dhe dritat, shqetësimet e ditës

28/01/2005  

Librazhd – Bora e rënë tri ditë më parë dhe që vazhdon të bjerë ende në shumë zona të thella të Librazhdit, ka krijuar probleme të shumta, jo vetëm në qarkullimin e mjeteve në rrugët rurale të këtyre fshatrave, por mbi të gjitha në furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ushqime dhe në vijueshmërinë e nxënësve në shkolla. Nga të dhënat që disponon shtabi i emergjencës i ngritur pranë nënprefekturës Librazhd, rezulton se mbeten ende problematike rrugët Librazhd-Steblevë, ku trashësia e borës ka kaluar mbi një metër. Kjo rrugë është bërë e mundur të hapet deri në afërsi të Lunikut, por mbeten ende edhe 13 kilometra rrugë, e cila vazhdon të jetë e izoluar dhe e pakalueshme. Pak a shumë, e njëjta situatë paraqitet edhe në rrugën e Qarrishtës, e cila nga fshati Dorëz, deri në Qarrishtë, nuk është hapur ende që prej tri ditësh. Situata pak a shumë e njëjtë paraqitet edhe në komunën e Rrajcës e të Stravajt, ku mbeten të bllokuara fshatrat Bardhaj, Skënderbej, Sopot, Gaferr e Vilan në Polis. Vëmendja e punonjësve të Ndërmarrjes Rruga në Librazhd është përqëndruar në mbajtjen në gatishmëri të aksit të rrugës nacionale, Librazhd-Qafë Thanë, ku ka një qarkullim të dendur të automjeteve. Shqetësuese është gjendja rreth furnizimit me energji elektrike, ku fshatra të veçantë në katër komuna të rrethit, ndiejnë mungesën e energjisë elektrike prej disa ditësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›