E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti, 32 milionë për zhbllokimin e rrugëve

28/01/2005  

Dëbora dhe orteqet shëmbin disa shtëpi në fshatin Breki

KUKES - Qeveria akordon 32 milionë lekë për zhbllokimin e rrugëve rurale, që mbajnë të izoluar dhjetëra komuna dhe mijëra banorë në Kukës. Ndërkohë, dje janë shembur edhe disa shtëpi në fshatin Breki, të komunës Topojan, nga orteqet dhe trashësia e madhe e dëborës në këto fshatra. Dje të gjithë automjetet kanë qenë lajmëruar të mos lëvizin në asnjë rast nga Tirana drejt Kukësit dhe anasjelltas për të eliminuar rreziqet eventuale që

paraqesin rrugët e ngarkuara nga 1-2 metër dëborë në disa vende.

Ndihma

Burimet e shtabit të emergjencës bënë të ditur dje se Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit ka dhënë një fond prej 32 milionë lekë në ndihmë të 40 mijë banorëve të izoluar në komunat e bllokuara me qëllim hapjen e rrugëve rurale që i lidhin me qytetin e Kukësit. Burimet sqaruan se janë në dispozicion edhe

150 milionë lekë të tjera në rast se situata e reshjeve të dëborës do të vazhdojë. Megjithë vështirësitë e paraqitura duhet theksuar se në këtë situate të jashtëzakonshme nga dëbora e madhe, e cila nuk është parë në Kukës që nga viti 1985, e vetmja gjë “normale” mbeten temperaturat, të cilat nuk kanë zbritur më shumë se -4 gradë celcius. Reshjet e dëborës kanë vazhduar të bien edhe gjatë ditës së djeshme, duke vështirësuar zhbllokimin e situatës. Ndërkohë kanë filluar kërkesat e disa komunave për ndihma ushqimore. Për këtë janë duke u përgatitur rezerva ushqimore nga institucionet përkatëse dhe së shpejti do vazhdojë shpërndarja e tyre. Problem serioz mbetet zhbllokimi i rrugëve rurale, që lidhin komunat me qytetin, pasi dëbora është tejet e madhe në lartësitë mbi 800 metër mbi nivelin e detit, ku dhe ndodhen pjesa më e madhe e komunave të rrethit të Kukësit. Megjithë fondet e akorduara nga qeveria, dje akoma nuk është nisur asnjë mjet borëpastrues në drejtim të komunave të izoluara.

Izolimi

Rreth 40 mijë banorë të zonave të thella të Kukësit, ku dëbora nuk rresht së rëni prej disa ditësh, jetojnë mes ankthit dhe frikës së shembjes së shtëpive të tyre nga dëbora e madhe e rënë këto ditë. Tre ditë më parë është regjistruar dhe rënia e parë e çatisë së një banese në fshatin Shëmri, por fatmirësisht pa shënuar viktima në njerëz. Që prej datës 23 janar rreshjet e dëborës praktikisht nuk kanë pushuar së rëni në zonat e ndryshme të Qarkut të Kukësit. Trashësia e saj brenda në qytetin e Kukësit ka arritur tashmë në një metër e ndërsa në zonat e fshatrave të këtij rrethi i kalon 1.5 m. Ndërkohë që në zonat e thella të Qarkut të Kukësit që janë izoluar nga dëbora kanë filluar që të pakësohen mjaft ndjeshëm dhe rezervat ushqimore. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Bamir Topi, ka akuzuar dje qeverinë e Kryeministrit Nano se ka braktisur fshatrat e izoluara nga dëbora në veri të vendit. Sipas Topit, Kryeministri edhe këtë herë në prag tragjedie ndodhet jashtë vendit. “Pak muaj më parë, kishim problemet e përmbytjeve në zonën veriperëndimore të Shqipërisë, në Shkodër dhe në Lezhë, por reagimi i tij ishte tërësisht indiferent dhe mospërfillës. Kryeministri është një njeri, i cili sa herë i ndodhin katastrofa vendit ndërmerr udhëtime jashtë vendit apo preferon të dali në shou mediatik për probleme sekondare, që kanë të bëjnë me mbijetesën e tij politike. Ky është një problem akut, që ka të bëjë me ato që shkakton natyra dhe brenda një fatkeqësie të tillë nuk ka fatkeqësi më të madhe kur braktisesh nga qeveria, e cila, ju e dini fare mirë, që nuk e ka mendjen prej vitesh në këto zona”, tha Topi.

Deputeti i PD-së për rrethin e Dibrës, Sali Shehu, ka thënë dje se në disa fshatra të Peshkopisë rrezikohet katastrofë humanitare si pasojë e mbarimit të rezervave ushqimore. “Komuna e Kalasë së Dodës, ka tre ditë që është pa drita dhe e palidhur me qytetin e Peshkopisë. Rezervat ushqimore në Reç, Dardhë dhe Arras janë të bllokuara dhe nëse kjo situatë vazhdon, për disa ditë do të kemi një katastrofë humanitare”, tha Shehu. Sipas tij, deri tani nga ana e qeverisë nuk është marrë asnjë masë për hapjen e akseve rrugore, të cilat lidhin fshatrat e izoluara me qytetet. “Dëgjova një deklaratë që janë nisur fadroma me ndihma dhe për pastrimin e borës, gjë e cila nuk rezulton e saktë për sa kohë që rruga me Dibrën është e bllokuar, pasi asnjë nga këto mjete nuk ka mbërritur në Dibër për të hapur rrugën me komunat. Janë të pa lidhura të gjitha komunat, të cilat, nëse nuk lidhen me qytetin, nuk kanë se ku furnizohen me rezerva ushqimore, të cilat janë në të mbaruar”, tha Shehi.

Dokle

Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka kërkuar bashkëpunim të deputetëve të parlamentit për t’u angazhuar në kapërcimin e situatës së rënduar në veri dhe verilindje të vendit. Gjatë seancës plenare, Dokle i është përgjigjur interesit të deputetëve, duke raportuar të dhënat më të fundit mbi situatën. Gjithashtu, Dokle ka bërë një rezyme të të gjitha masave që janë ndërmarë dhe po meren nga strukturat e shtetit për të evituar viktimat dhe për të përmirësuar situatën. Në ndihmë të zonave të prekura nga situata e përkeqësuar meteorologjike, Këshilli i Ministarve ka vënë në dispozicion një fond prej 100 milionë lekë, të clët janë lëvruar nga buxheti rezervë i këtij këshilli. Numri dy i qeverisë ka karkuar dhe një bashkëpunim më të frytshëm mes prefektëve të qarqeve dhe kryetarëve të bashkive dhe komunave, pasi është vënë re një përplasje mes këtyre dy strukturave. Sipas Dokles, aktualisht të gjitha njësitë e angazhuara po punojnë dhe do të vihen në funksionim të gjitha mjetet për të përmirësuar situatën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›