E Diel, 1 Nëntor 2026

Farmacistët, afatet e regjistrimit për praktikën

Urdhri i Farmacistëve përcakton afatet e regjistrimit për kryerjen e praktikës profesionale për studentët e diplomuar dhe ata të padiplomuar në degën e Farmacisë. Sipas njoftimit të Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë (UFSH), për studentët e diplomuar pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, merret parasysh periudha e praktikës profesionale të zhvilluar gjatë programit mësimor, për një afat kohor deri më tre muaj. “Për realizimin e afatit kohor 6-mujor duhet të regjistrohen në regjistrin e praktikantëve pranë zyrës UFSH deri në datën 15 qershor 2011. Regjistrimi pas këtij afati nuk ju mundëson të drejtën e regjistrimin në Provimin e Shtetit për sezonin nëntor-dhjetor 2011”, - thuhet në njoftim. Ndërsa studentët e padiplomuar kanë të drejtë të regjistrohen në regjistrin e praktikantëve pranë zyrës UFSH deri më 15 maj 2011. UFSH përcakton se bëhet fjalë për studentët e padiplomuar që plotësojnë kushtet e mëposhtme: të kenë realizuar pjesën teorike të programit mësimor të vitit të fundit, të detyrueshme për t’i dhënë të drejtën që të kryejnë praktikën profesionale në farmaci (pajisen me vërtetim të posaçëm nga sekretaritë e universiteteve); të kenë të përcaktuar kohën e fillimit të praktikës profesionale nga pjesa e parë e muajit prill; regjistrimi pas këtij afati nuk ju mundëson të drejtën e regjistrimin në Provimin e Shtetit për sezonin nëntor-dhjetor 2011. Dokumentacioni që duhet të dorëzohet nga studentët e padiplomuar është i njëjtë me atë për studentët e diplomuar, përveç diplomës dhe listës së notave që zëvendësohen nga vërtetimi i dhënë nga sekretaritë e fakulteteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›