Xhamia mund të përmbajë 1 000 vizitorë gjatë ditëve të zakonshme
Xhamia mund të përmbajë 1 000 vizitorë gjatë ditëve të zakonshme dhe më pas ky numër mund të zgjerohet të premten dhe në ditët e pushimeve ku mund të zihet gjithë hapësira e sheshit. Kaq parashikohet të jetë kapaciteti i pritjes së besimtarëve myslimanë sipas projektit të studios BIG, ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka deklaruar se Xhamia e Re do t’u shërbejë mbi 2 500 besimtarëve. Studioja projektuese BIG nga Danimarka është shpallur fituese e konkursit ndërkombëtar për ndërtimin e Xhamisë së Re dhe Muzeut të Bashkëjetesës Fetare për kryeqytetin. Tri arsyet pse juria e drejtuar nga kryebashkiaku Rama kanë zgjedhur këtë projekt fitues janë: “Aspekti i parë ka të bëjë me daljen e xhamisë në shesh, pra krijimin e një hapësire që përmbush nevojat e besimtarëve për faljet e së premtes, faljet për ditë të mëdha të veçanta të vitit, që do mbushë hapësirat me besimtarë, por dhe për faljen e përditshme. Së dyti, kemi vlerësuar si një element tërheqës kopshtin e Kuranit, krijimin e një kopshti rreth xhamisë, që do përmbajë të gjitha pemët dhe bimët e përmendura në Kuran në një numër aq herë sa përmenden në librin e shenjtë të Kuranit. Besojmë se kjo është një vlerë e veçantë që ka propozimi; dhe së treti kemi prirjen e qartë që kemi për t’u orientuar drejt materialeve të vendit, drejt gurëve dhe mundësive që ka sot vendi dhe në trajtimin e materialeve të ndërtimit dhe sigurisht kemi vlerësuar se kostoja e këtij projekti për xhaminë dhe më tej për muzeun është një kosto e arsyeshme”. Sipas përfaqësuesve të projektit fitues, përsa i përket lutjeve, ideja është që fasada e Xhamisë dhe Xhamia të mund të hapet drejt sheshit duke ftuar njerëzit që të hyjnë në të, në hapësirën kryesore, dhe ideja është vendosja e kësaj kupole në krahun e kundërt, që është një shandan dhe për secilën nga lutjet do të krijohet një atmosferë e veçantë.