E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, pezullohen operacionet te Kirurgjia

SHKRUAN: Jonida Tashi 04-05-2011 11:54

Pezullohen operacionet te Kirurgjia e Përgjithshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Kirurgë dhe mjekë pranë Pavijonit të Kirurgjisë së Përgjithshme bëjnë të ditur se dje në këtë shërbim nuk është kryer asnjë nga ndërhyrjet kirurgjikale të parashikuara, për shkak të mungesës së ilaçit që përdoret për narkozë. Bluzat e bardha të këtij pavijoni shpjegojnë se bëhet fjalë për mungesën e papulonit, medikament pa të cilin nuk mund të realizohen dot ndërhyrjet kirurgjikale. Po ashtu, kirurgët bëjnë të ditur se personat që ishin planifikuar për t’iu nënshtruar ditën e djeshme operacioneve janë dy pacientë me kancer në zorrën e trashë, të cilët duhet ta kryejnë sa më parë ndërhyrjen kirurgjikale, për shkak të problemit të rëndë shëndetësor që kanë. Sikurse nuk dinë asnjë arsye se pse dje në Pavijonin e Kirurgjisë së Përgjithshme ka munguar preparati i narkozës, mjekët e këtij shërbimi shprehen se nuk kanë asnjë informacion se sa do zgjasë dhe se kur do të zgjidhet problemi në fjalë. Për rrjedhojë, dita e djeshme e kirurgëve të Kirurgjisë së Përgjithshme në QSUT ka qenë pothuajse pushim, pasi ata nuk kanë mundur që të kryejnë dot asnjë operacion nga mungesa e papulonit. Por ata që e kanë vuajtur më shumë këtë problem sigurisht që janë pacientët e planifikuar për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, të cilët nuk dinë se edhe sa ditë të tjera duhet të presin që të operohen, përveç atyre që kanë qëndruar të shtruar në spital, pikërisht në pritje të caktimit të ditës së operacionit. Gjithsesi, ky nuk është i vetmi rast që në shërbimet e spitalit më të madh të vendit, “Nënë Tereza”, janë pezulluar operacionet për shkak të mungesës së medikamenteve. Në muajin shkurt në këtë spital u ndërprenë për rreth 3 javë operacionet në dy shërbime të rëndësishme të tij, tek ai i Kardiokirurgjisë dhe Urgjencës Kirurgjikale. Shkak për pezullimin e operacioneve në këto dy pavijone u bë mungesa e medikamenteve dhe rezervave të gjakut. Kështu, në shërbimin e Kardiokirurgjisë mungonte heparina, medikamenti bazë që nevojitet për ndërhyrjet në zemër, kurse në Urgjencën Kirurgjikale nuk kishte më rezerva gjaku. Pas ndërprerjes, në klinikën e Kardiokirurgjisë operacionet rifilluan vetëm pas ndërhyrjes së Ministrisë së Shëndetësisë, e cila siguroi sasi të përkohshme të heparinës. Kurse në Urgjencën Kirurgjikale, mungesa e rezervave të gjakut është një problem që i ka bërë drejtuesit dhe mjekët e këtij shërbimi të gjenden vazhdimisht në vështirësi para rasteve të ndërhyrjeve kirurgjikale, duke çuar deri në anulim apo shtyrje të operacioneve. Sipas mjekëve të këtij shërbimi, në vendin tonë edukata për dhurimin e gjakut është shumë e ulët dhe përpara fillimit të një operacioni të planifikuar janë familjarët e pacientëve ata që dhurojnë gjak. Por, me gjithë shqetësimin e ngritur nga shefat e shërbimeve dhe bluzat e bardha në QSUT për mungesën e medikamenteve, pak kohë pas marrjes së detyrës si drejtori i spitalit më të madh të vendit, Saimir Ivzniku ka deklaruar se ky problem do të zgjidhet brenda muajit maj. Ndërsa kanë kaluar gati tre muaj nga kjo deklaratë, tashmë mbetet për t’u parë nëse situata në QSUT do të vazhdojë të mbetet e njëjtë, apo do të sigurohen të paktën materialet bazë dhe ilaçet kryesore që kërkohen, sikurse ka pohuar Ivzniku, sipas të cilit, paketa bazë e ilaçeve dhe materialeve të mjekimit nuk do të mungojë në QSUT gjatë këtij viti. Sipas burimeve nga QSUT, tenderat për gjysmën listës së barnave që nevojiten për spitalet kanë përfunduar dhe po vazhdon pjesa tjetër, ndërkohë që pas përfundimit të tenderave duhet të kalojë edhe 1 muaj kohë për të lidhur kontratat me kompanitë farmaceutike. Por, vendosja e TVSH-së 10% për barnat ka bërë që të llogaritet një fond më i lartë se vitet e tjera dhe të mirëmenaxhohet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›