E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët prematurë, shtohen lindjet e parakohshme

Shtohen lindjet e parakohshme, për rrjedhojë edhe sjellja në jetë e fëmijëve nën peshën e rekomanduar (prematurë). Megjithëse autoritetet shëndetësore deklarojnë se në vendin tonë është ulur vdekshmëria foshnjore si dhe ajo amtare, sërish lindjet e parakohshme të fëmijëve mbeten një shqetësim. Në një nga institucionet terciare, që ofrohet shërbim për të gjitha gratë që vijnë nga rrethet e ndryshme të vendit, në maternitetin “Koço Glozheni”, i njohur ndryshe si Materniteti i Ri, numri i lindjeve të parakohshme zë 8% nga 4500 lindje në vit. “Në njëfarë mënyre ka një rritje të lehtë nga viti në vit, nga 7.8 deri në 8%. Në objektivat tona është ulja e numrit të lindjeve të parakohshme, sepse natyrisht shoqërohet me një sëmundshmëri dhe vdekshmëri te fëmijët”, - pohon drejtoresha e maternitetit “Koço Glozheni”, Rubena Moisiu. Sipas saj, shërbimi jo i duhur në sistemin shëndetësor parësor apo mungesa e informacionit që kanë nënat, në veçanti ato që vijnë nga zonat rurale, janë disa nga faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në lindjet e parakohshme. “Shkaku pse ky numër mbetet i njëjtë apo rritet është cilësia e shërbimit parësor. Mbase dhe edukata shëndetësore e nënave. Këtu flas për zonat rurale dhe jo vetëm për qytetin”, - shprehet Moisiu. Përsa i përket vdekjeve amtare në këtë maternitetet, mjekët thonë se prej tre vitesh nuk është shënuar asnjë rast. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se mortaliteti infantil dhe ai amtar janë dy objektiva themelorë që vazhdojnë të mbeten prioritarë, ndërsa për të pasur indekse në rënie kërkohet veç kualifikimit dhe profesionalizimit dhe nivel teknologjie i domosdoshëm për të siguruar një asistencë mjekësore sa më të mirë dhe kualifikuar. Sipas këtij dikasteri, vitin e kaluar kemi patur një mortalitet amtar pothuajse 0, po ashtu kemi patur edhe një ulje të ndjeshme të mortalitetit infantil. Për vitin 2001, falë ndihmës së UNFPA, për përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës në Shqipëri do të shpenzohen mbi 500 mijë dollarë. Përveç kësaj ndihme, në muajin shkurt të këtij viti, maternitetet në 16 rrethe të vendit janë pajisur nga UNPFA me sete aparaturash mjekësore bashkëkohore, ndërhyrje efikase infrastrukturore që ulin mortalitetin foshnjor dhe amtar, duke ndikuar njëherësh në përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›