E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Farmacitë jo transparente me çmimet e ilaçeve”

Mungesë transparence me çmimet e ilaçeve dhe mangësi në sistemin e informacionit. 

Zirina Llambro

Ndërkaq Shqipëria paguan çmime më të larta për disa barna, krahasuar me vende të tjera në rajon. Po t’i referohesh Sllovenisë, çmimet arrijnë deri 89% më të larta. Këto janë sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, problematikat më të mprehta të shërbimit farmaceutik. Ndërkaq, në analizën e hollësishme të shëndetësisë, në tërësi drejtuesit e ISKSH, kanë vënë theksin edhe tek lista e barnave me rimbursim apo çmimet e shtrenjta të medikamenteve. “Problematike paraqiten mungesa e transparencës së çmimeve të barnave dhe mangësitë në sistemin e informacionit në sektorin farmaceutik, që të përfshijë gjithë hallkat si inspektimi, regjistrimi, informacioni për  barnat, farmakovigjilenca”, bën me dije ISKSH. Sipas specialistëve sa i përket listës së barnave  instituti akoma nuk  menaxhon se çfarë barnash rimburson dhe me çfarë kostoje duhet të rimbursojë. “Po ashtu, problematik mbetet fakti  që shpesh barnat që futen në listë, nuk vendosen sipas  prioriteteve e kosto-efektivitetit dhe në disa raste nuk  shoqërohen me mbështetje financiare për ISKSH”, sqarojnë specialistët. Por nuk është vetëm ISKSH që ngre problemet me tregun e ilaçeve në vendin tonë. Konkluzione aspak pozitive vijnë edhe nga Banka Botërore. Sipas studimit të fundit të kryer prej BB ka rezultuar se, në Shqipëri mungon kontrolli i barnave sipas standardeve ndërkombëtare. Ato nuk fabrikohen, as shpërndahen dhe as ruhen siç duhet në farmaci. Sakaq, mungon edhe praktika e prodhimit të mirë të tyre. Është evidentuar se në tregun e barnave tek ne është mesë i pranishëm konflikti i fortë i interesit. Kjo, pasojë e mungesës së rregullave të qarta për ta luftuar këtë fenomen. Gjithaq, vihet në dukje se tek ne mungojnë protokollet sipas diagnozave të sëmundjeve dhe një Listë e Barnave Esenciale sipas nevojave kombëtare të popullatës. Por ndërkaq shërbimi farmaceutik në sajë të reformës së ndërmarrë ka pasur përmirësime të ndjeshme. Një prej tyre është furnizimi i bollshëm i tregut me një shumëllojshmëri barnash. Për t’u nënvizuar mbetet edhe procesi i regjistrimit të barnave, i cili ka minimizuar kontrabandën. Politika në këtë fushë ka në fokus përdorimin racional të një numri të mjaftueshëm barnash  efektive, të sigurta e me cilësi të lartë dhe të disponueshme e me çmim të arritshëm për të gjithë popullatën.

Mangësitë e spitaleve

Ndërsa në objektivat e ISKSH mbetet kthimi në financuesin e vetëm të të gjithë shëndetësisë, prioritet ka shtrirja e skemës së sigurimeve në spitalet e vendit. Aktualisht ajo ka rezultuar e suksesshme në spitalin e Durrësit. Në të gjithë vendin funksionojnë 51 spitale, të cilët sipas ISKSH, kanë jo pak mangësi në infrastrukturë dhe menaxhim. Numri i shtretërve është disa herë më i lartë se vendet e tjera, ndërkohë që shfrytëzimi mbetet ende në nivelin 50-55%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›