E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohen për shkelje krerët e OSSH në Tiranë e Vlorë

Dy drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Tiranë dhe Vlorë janë shkarkuar nga detyra për mosrealizim të objektivave të vendosura për muajin korrik. 

Drejtori i Përgjithshëm i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Sahit Dollapi, firmosi shkarkimin e drejtuesit të degës së shitjes në zyrën e Shpërndarjes së Qarkut të Vlorës dhe kryeinxhinierit të zyrës së Shpërndarjes në Tiranë. Drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së deklaron se, do të merren masa ndëshkuese për të gjithë punonjësit për të cilët do konstatohen shkelje. Ai paralajmëroi shkarkime edhe në qytetet e tjera. “Nuk do të tolerojmë as neglizhencat dhe as abuzimet me detyrën”, është shprehur Dollapi. Kreu i OSSH-së e ka nisur dje reformë me qytetin e Vlorës. Gjatë analizës së punës së degës së OSSH-së në këtë qytet janë vërejtur shkelje gjatë muajit korrik. Ditët në vijim analiza pritet të shtrihet në të gjithë vendin. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka rreth 1 milion konsumatorë të energjisë elektrike në të gjithë vendin, nga të cilët 878 mijë janë familjarë, 112 mijë biznese, 7 mijë abonentë në sektorin buxhetor dhe jo buxhetor. Në zonat urbane janë 550 mijë konsumatorë, ndërsa 450 mijë të tjerë në zonat rurale. Grupi kryesor konsumator mbeten familjarët, me më shumë se 2 mijë gigavat orë energji të faturuar, biznesi me rreth 1 mijë gigavat, institucionet publike me 128 gigavat dhe sektori jo buxhetor me 239 giga. Që nga janari i vitit të kaluar, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes operon i ndarë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Pas ndarjes së aseteve dhe aspekteve financiare, OSSH-ja ka marrëveshje bashkëpunimit me Operatorin e Transmetimit (OST), si dhe me KESH-in.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›