E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilaçet me rimbursim, rihapet lista e re

Lista e re e barnave me rimbursim për vitin 2011, ndonëse ishte mbyllur në fund të muajit dhjetor dhe ishte gati për miratim nga Këshilli i Ministrave, është rihapur për të pësuar disa ndryshime të tjera. Burime të besueshme bëjnë të ditur se mbyllja e kësaj liste u bë në mënyrë të përshpejtuar, pa marrë në konsideratë as propozimet e shefave të shërbimeve në QSUT, për t’u kaluar po në kohë të shpejtë në qeveri. Për këtë çështje mësohet se ka pasur një debat të ashpër midis Komisionit të Hartimit të Listës së Barnave në Ministrinë e Shëndetësisë dhe shefave të shërbimeve për barnat e reja që ishin përfshirë në listën e re me rimbursim. Mësohet se pavarësisht deklaratave të bëra nga autoritetet shëndetësore se, lista e vitit 2011 do të ketë barna cilësore dhe me çmim më të lirë, ilaçet e reja që janë propozuar të përfshihen në të janë shumë pak cilësore, madje më keq se ato të vitit 2010. Përsa i përket miratimit të listës së re, sipas deklaratave të bëra nga autoritetet shëndetësore, gjithashtu edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ajo do të kalonte në Këshillin e Ministrave në janar, në mënyrë që të hynte në fuqi po brenda këtij muaji, për kategoritë që trajtohen nëpërmjet saj. Ndërsa lidhur me ndryshimet që parashikohen në të, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, ato megjithëse nuk do të jenë të mëdha, prioritet i saj do të jenë të sëmurët kronikë. Kështu, sipas propozimeve të bëra, rezulton se kategoritë prioritare nga lista e rimbursimit do të jenë pacientët që vuajnë nga sëmundjet kronike, si: sëmundjet e zemrës, tensionit, diabetit, anemitë e ndryshme, sëmundjet e gjakut, sëmundjeve të mushkërive, si dhe sëmundjes së rëndë të kancerit dhe insuficiencat renale. Përveç moshës së tretë, përfitues të barnave me rimbursim do të jenë edhe fëmijët e vegjël, sipas kategorizimeve përkatëse që do të bëhen. Megjithatë, specialistët theksojnë se lista edhe për 2011-n do të përfshijë barnat e domosdoshme për pacientët që janë pjesë e skemës së sigurimeve, ndërkohë që do të përfshijë edhe barnat alternative në rastet e mungesës së efikasitetit të barit, reaksioneve alergjike dhe pamundësisë së përdorimi të llojeve të caktuara që janë përdorur gjatë vitit të kaluar. Përsa i përket masës së rimbursimit, sipas përcaktimeve të bëra, edhe për listën e vitit 2011, masa e rimbursimit të barnave do të vijojë të jetë e përshkallëzuar nga 50 deri në 100 për qind të medikamentit, kjo në varësi të kategorisë së përfituesve. Kështu, barnat e listës do të ofrohen falas për fëmijë 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët. Po ashtu, të gjitha barnat falas do të shkojnë edhe për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës, si dhe për një sërë personash të tjerë, si për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozës multiple, talasemisë major. Ndërsa kategoritë e tjera do të përfitojnë rimbursim të pjesshëm, në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50 për qind e medikamentit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›