E Shtunë, 31 Tetor 2026

Farruk Sejdini: “Kjo Dinamo ngjan me 2002-in”

Bledar KUKA
TIRANË – Dinamo e sotme, me pak përforcime, mund të bëhet si ekipi magjik i vitit 2002. Ky është mendimi i ish-trajnerit të bluve, Farruk Sejdini, ndërsa skuadra e tij e zemrës u shpall kampione e Shqipërisë për të 17-ën herë në histori. "Dinamo e sotme është një skuadër e mirë, madje mjaft e mirë, - u shpreh "xhaxhi", në një bisedë për "Korrierin", - ka përvojë dhe lojtarë me vlera". "A do të mundet kjo skuadër të jetë si ajo e sezonit 2001-2002? Mbetet të shihet, ndonëse unë mendoj se i ka gjasat", - vazhdoi ai. Sipas njeriut që e nxori ekipin kampion më 2002, pas 12 vjet "pushimi", për këtë është e nevojshme vazhdimësia, por edhe ardhja e disa lojtarëve të tjerë. "Nëse drejtuesit do të arrijnë të ruajnë skuadrën që kanë dhe të krijojnë vazhdimësi në drejtimin teknik, - është gjykimi i Sejdinit, - atëherë mundësitë janë shumë të mira që Dinamo të bëhet edhe më e fortë. Por, të jemi të sinqertë, duhen rreth 4 lojtarë përforcim". Përse? "Kjo skuadër ka një formacion shumë të mirë, por jo një stol të tillë, - vazhdon arsyetimin ai, - me përjashtim të Ferrës, që është i ri por tashmë i afirmuar, lojtarët e tjerë të stolit nuk janë në lartësinë e atyre të ekipit titullar". Ndërsa Dinamo e vitit 2002 kishte rreth 15-16 lojtarë thuajse të të njëjtit nivel ku spikasnin edhe futbollistë si Redi Jupi. Sejdini beson se kampiona e re e Shqipërisë mund të synojë normalisht kalimin e një turi në Ligën e Kampionëve, ndonëse më pas vjen më e vështira. "Me përforcimet e duhura dhe me pak fat Dinamo mund ta kalojë një tur, - thotë ai, - dicka që skuadrat shqiptare e kanë bërë normalisht që nga 2001-shi e deri më sot". Vllaznia, Dinamo dhe 3 herë Tirana e kaluan një tur paraeleminator nga 2001-shi deri më 2005-ën. Tradita u prish më 2006 dhe 2007 kur, përkatësisht, Elbasani dhe Tirana u eliminuan në turin e parë. Sidoqoftë, me hyrjen e mijëvjecarit të ri, klubi blu duket se e ka kaluar fazën e tranzicionit. Me dy tituj (2002, 2008), kupën e fituar më 2003 dhe vendet e dyta më 2004 e 2005 dhe finalen e kupës më 2004, Dinamo e riktheu veten në një nga skuadrat më të respektuara të vendit. Vitet e vuajtura 90-të, kur djemtë e drejtuar nga "xhaxhi" detyroheshin të merrnin edhe tenxheren e patateve me vete për t'u ushqyer rrugës, janë lënë përfundimisht pas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›