E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançester Junaitid, kampion i Europes

Mancester Junaitid fitoi për herë të tretë Ligën e Kampioneve, në një ndeshje dramatike të zhviluar në "Luzhniki" të Moskës, ku pas barazimit 1-1 në 120 minuta lojë u deshën 14 penallti për të përcaktuar fituesin, ku "Djajtë e kuq" fituan 6-5 , falë portierit holandez Van der Sar, i cili priti gjuajtjen e Nikolas Anelka. Kristiano Ronaldo, i cili shënoi edhe golin e Mancesterit, humbi edhe penalltinë, por falë gabimit të pafalshëm të Xhon Territ, ylli portugez u bë për herë të parë fitues të Ligës së Kampioneve, ndërsa trajneri Aleks Ferguson e fitoi atë për herë të tretë.
Pjesa e parë foli për Mancesterit. Pas disa pasimesh në krahun e djathtë të sulmit të Mancesterit, Pol Skols pasoi te Ues Broun, i cili krosoi në zonën e vogël, Mikael Esien i Celsit kërceu, por Ronaldo nga shtatë metra goditi në këndin e poshtëm të portës. Goli i tetë për mirë yllin portugez në Ligën e Kampioneve dhe i 42-ti sezonal në të gjitha kompeticionet
Pesë minuta më pas, në të 32, Celsi i pati të gjitha mundësitë për të realizuar, kur Mikael Balak brenda zonës gjuajti me kokë, por portieri i Mancester Junaitid, holandezi Van der Sar reagoi në mënyrë perfekte.
Në minutën e 34, Tevez ishte pranë golit të dytë, kur Tevez goditi nga rreth tetë metra me kokë, por ceku Ceh (mbush nesër 26 vjec) dëshmoi aftësitë e tij të rralla, kur grushtoi gjuajtjen e Karlitos, ashtu sic bëri edhe disa sekonda më pas me gjuajtjen e Mikael Kerrik, për ta devijuar atë në goditje këndi.
Tevez pati një tjetër rast të madh në minutën e 42-të, kur argjentinasi nuk shfrytëzoi mundësinë e artë, pas markimit të keq nga ana e Klod Makeleles.
Në të 43', gjermani Balak ekzekutoi në mënyrë të shëmtuar një goditje të lirë nga 18 metra, duke humbur një mundësi të mirë.
Por, kur dukej se Celsi ishte totalisht i coroditur, Frenk Lampard shfrytëzoi në mënyrë të jashtëzakonshme rreshtimin e gabuar të mbrojtjes së Mancesterit.
Klod Makele goditi nga larg, topi u përplas në shpinën e Rio Ferdinand, dhe i kthyer direkt në këmbët e Lampardit në zonën e rreptësisë, mesfushori i Celsit nuk e pati të vështirë të mposhte Van der Sarin. 1-1 dhe loja hapet.
Në pjesën e parë Mancesteri tregoi më shumë forcë dhe pati një kontroll më të madh të topit. Shkurt mund të thuhet se në 45 minutat e para pamë një Mancester të pafat, dhe një Celsi me fat.
Në pjesën e dytë Celsi e nisi më mirë takimin. "Blutë" ishin më mirë të vendosur në fushë, patën më shumë iniciativë dhe e rrezikuan seriozisht.
Në të 55', Mikael Esien goditi nga 23 metra, por topi përfundoi mbi traversë. Tri minuta më pas, një tjetër Mikael, gjermani Balak goditi nga rreth 28 metra, por topi nuk përfundon në kuadrat.
Dialgou i sulmit të Celsit me prapavijën e Mancesterit vazhdoi duke sjellë në fokus Eshli Kol në të 61-të. Disa goditje këndi radhazi (64' e 65') për formacionin e izraelitit Avram Grant, tregoi qartë epërsinë e klubit londinez.
Në të 68' erdhi edhe dëmtimi i kapitenit të Mancesterit, Rio Ferdinand, por mbrojtësi vazhdoi me "shpirt në dhëmbë" takimin. Më pas i erdhi radha francezit të Celsit, Klod Makelele të dëmtohej, kur argjentinasi Tevez ndërhyri keq në lojën pa top.
Në minutën e 78-të, Didier Drogba goditi nga larg me një diagonale të fuqishme, por topi u përplas në shtyllën pingule. Celsi i pafat.
Presioni i bluve erdhi në rritje, dhe në të 80' sulmuesi nga Bregu i Fildishtë rrezikoi sërish duke u shndërruar në një rrezik potencial për kundërshtarin. Celsi pati një avantazh të dukshëm në goditjet në portë.
Minuta e 87-të prodhoi edhe një moment historik për Rajan Gigs. Duke zëvendësuar Pol Skols, Gigs realizoi edhe ndeshjen e tij të 759-të për fanellën e Mancesterit, e duke kaluar legjendën Sër Bobi Carlton, duke qenë i vetmi lojtar me më shumë ndeshje për Junaitid. Nëntëdhjetë minutat e kohës së rregullt u mbyllën në barazim 1-1, për ta cuar në shtesat edhe më emocionuese.
Lampard goditi shtyllën në minutën e 4-t të pjesës së parë shtesë, ndërkohë që e dyta solli dhe kartonin e kuq të Didier Drogba, pas një sherri me Vidic të Mancesterit. Tevez dhe Balak u ndëshkuan me kartonë të verdhë. Fundi i takimit ishte emocionues, ku dhe trajnerët realizuan ndërrimet e fundit.
120 minutat përfunduan me rezultatin e barabartë 1-1 dhe ndeshja shkoi te gjuajtjet e penalltive, ndërsa dy ekipet morën nga katër kartonë të verdhë, plus të kuqit të Drogbasë.
I pari te penalltitë shkoi Tevez i Mancesterit, i cili mposhti Ceh të Celsit. Gjermani Balak për Celsin i pari: dhe 1-1. Mikael Kerrik për Mancesterin: 2-1. Braziliani Huliano Belleti për blutë: 2-2. Portugezi Kristiano Ronaldo për Mancesterin, por Petër Ceh grushtoi. Penalltia e dytë e humbur nga Ronaldo pas asaj me Barcelonën. Lampard i saktë për Celsin: 2-3. Blutë në avantazh. Hargrivs realizoi për Mancesterin: 3-3. Mbrojtësi Eshli Kol për Celsin: 3-4, pavarësisht se Van der Sar kuptoi krahun. Nani në gjuajtjen e pestë për Mancesterin, i saktë: 4-4, por Celsi ka një gjuajtje më shumë. Kapiteni i Celsit, Xhon Terri te pika e bardhë. E pabesueshme, gjuan jashtë: 4-4. Anderson shënon për Mancester: 5-4. Kalu për Celsin: 5-5. Beteja nga pika e bardhë nuk ka fund. Rajan Gigs për Mancester: 6-5. Nikolas Anelka për Celsin dhe gabon. Pret Van der Sar, Kristiano Ronaldo qan në fushë. Trofeu i tretë për Mancesterin në Ligën e Kampioneve

MANCESTERI
Rruga drejt trofeut
Faza e grupeve
Mancester-Sporting 2-1, 1-0
Mancester-Roma 1-0, 1-1
Mancester-Dinamo K. 4-0, 4-2
Raundi 1/8
Mancester-Lion 1-0, 1-1
Cerekfinale
Mancester-Roma 1-0, 2-0
Gjysmëfinale
Mancester-Barcelona 1-0, 0-0
Finale
Celsi-Mancester 1-1
Me penallti Mancester fiton 6-5
FITUES
MANCESTERI

15 fituesit e fundit
1993 Ol. Marseille
1994 Milan
1995 Ajax
1996 Juventus
1997 Borussia Dortmund
1998 Real Madrid
1999 Manchester United
2000 Real Madrid
2001 Bayern Munih
2002 Real Madrid
2003 Milan
2004 Porto
2005 Liverpool
2006 Barcelona
2007 Milan
2008 Manchester United

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›