Faruk Begolli, një javë në filma
Një javë për Faruk Begollin. Shtëpia filmike “Kosova Film” në bashkëpunim me RTV21, nga dje deri më 6 shtator, kanë nisur të organizojnë “Javën e filmit të Faruk Begollit”, një prej artistëve më të njohur të kinematografisë në Kosovë. Sipas organizatorëve, në kuadër të kësaj jave, do të shfaqen pesë filma të gjatë artistikë, ku protagonist kryesor është aktori, tashmë i ndjerë Begolli. Në njëvjetorin e vdekjes së aktorit të madh kosovar, Faruk Begolli, gjatë ditëve të para të këtij muaji do të shfaqen disa nga filmat më të suksesshëm të “Kosova Filmit”, si “Si të vdiset”, “Kur pranvera vonohet”, “Era dhe Lisi”, “Proka”, “Dashuria e Bjeshkëve të Nëmura”, e të tjerë. Ikona e teatrit dhe filmit kosovar, aktori i madh, Faruk Begolli, vdiq në moshën 63-vjeçare. Ai ishte i lindur në Pejë më 1944, kurse studioi Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd, ku u diplomua në vitin 1966. I ndjeri ka punuar si pedagog i lëndës së aktrimit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë për shumë vjet. Ndërsa pak ditë më parë u promovua monografia “Faruk Begolli”, e autorit Jeton Neziraj.