E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapet Konventa, mungojnë fjalimet politike

 

Hapja e Konventës Republikane në Shtetet e Bashkuara për të emëruar kandidatin zyrtar për garën presidenciale, Xhon Mekein, u shoqërua me protesta të shumta kundër politikës së presidentit aktual (nga republikanët), Xhorxh Bush. Rreth 10 mijë persona demonstruan jashtë godinës kundër politikës së Bushit dhe hidhnin mesazhe anti-Mekein. Policia arrestoi 130 persona nga protestuesit, të cilët sipas zyrtarëve ishin treguar të dhunshëm. Për më tepër, Kongresi i Partisë Republikane u turbullua nga uragani Gustav, i cili shkurtoi ndjeshëm kohën e Kongresit të republikanëve për caktimin zyrtar të kandidatit për president. Në shtetin Misuri mbledhja e delegatëve ka zgjatur vetëm dy orë. Xhorxh Bush dhe zëvendësi i tij, Dik Çenej, lajmëruan që një ditë më parë se si pasojë e sensibilizimit me viktimat e uraganit, nuk do të merrnin pjesë në hapjen e Konventës. Presidenti u përfaqësua nga Zonja e Parë, e cila bashkë me bashkëshorten e senatorit Mekein, Sindi Mekein, apeluan për të mbledhur fonde në ndihmë të viktimave të uraganit. “Kur ndodhin të tilla ngjarje ne kujtohemi se në radhë të parë jemi të gjithë amerikanë dhe idealet tona i kapërcejnë kufijtë partiakë. Ne shpresojmë që njerëzit në bregun e Gjirit e dinë se të gjithë amerikanët po bëjnë ç’është e mundur për t’iu ardhur atyre në ndihmë”, tha Laura Bush. Në ditën e parë të Konventës munguan fjalimet politike. Guvernatorëve të Teksasit, Alabamës, Floridës dhe Misisipit iu desh të kujdeseshin për masat e mbrojtjes nga katastrofa dhe i dërguan fjalët e tyre përshëndetëse me mesazhe video. Kandidatja si zëvendëse, Sarah Pelin, duhet të luftojë me të tjera histori nga e kaluara e saj. Ajo akuzohet se ka bërë presion për shkarkimin e një shefi policie për arsye familjare. Raporti i një komisioni hetimor të ngritur për këtë çështje pritet të paraqitet pak ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të 4 nëntorit.

Vajza e Sarah Pelin, shtatzënë
Të hënën, guvernatorja 44-vjeçare e Alaskës njoftoi se vajza e saj 17-vjeçare është shtatzënë në muajin e pestë dhe planifikon të martohet me babanë e fëmijës. Shumë e panë këtë detaj si pikë të dobët të republikanëve. Por kandidati demokrat, Barak Obama, refuzoi të bënte komente për këtë temë: “Familjet e kandidatëve duhet të jenë tabu, kjo vlen para së gjithash për fëmijët. Për këto nuk duhet t’i diskutojmë, pasi kjo çështje nuk ka asnjë rëndësi për aftësinë e guvernatores Pelin në detyrën e saj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›