“Fondet për ilaçet s’kanë munguar në QSU
“QSU-ja ka pasur fond të mjaftueshëm për të përballuar furnizimin me ilaçe, por problemet janë krijuar për shkak të gabimeve njerëzore”. Ka preferuar ta përmbledhë kështu zgjidhjen e krizës së medikamenteve në spitalin më të madh në vend. Drejtoresha e re, Gjeorgjina Kuli, deklaroi dje se një pjesë e ilaçeve të munguara do të mbërrijnë shumë shpejt. Nga sa u bë me dije Kuli ka firmosur gjatë këtyre ditëve plot 8 urdhra prokurimi për tenderim ilaçesh. Duke u bazuar tek afatet ligjore deri në përfundim të procedurave të tenderave, do të duhet të paktën 2 muaj e gjysmë që në farmacinë e “Nënë Terezës” të mbërrijnë furnizimet e reja për pacientët. Të 8 këto blerje të mëdha do t’i japin fund sorollatjeve për kite të gjakut në laboratorë, apo ilaçe të tjera mjaft të rëndësishme. Procedurat duhet të ishin kryer më parë, por konflikti dhe mungesa e komunikimit mes dy institucioneve Ministrisë së Shëndetësisë dhe spital universitar “Nënë Tereza” kanë sjellë edhe bllokimin e punës administrative në qendër. Vetëm disa ditë pas marrjes së detyrës së re Gjeorgjina Kuli, ka premtuar më shumë rregull brenda në spital, por edhe penalizime për bluzat e bardha që nuk zbatojnë oraret e konsultave. Ndërsa do të respektohet sistemi i referimit, pacientëve nga rrethet nuk do t’u mbyllet dera. “Do përpiqemi të ndërhyjmë për të përmirësuar këto probleme, por nuk mund të lëmë pa trajtuar të sëmurët, që vijnë nga rrethet dhe e shohin QSU-në si shpresën e vetme për shërimin e tyre”, u shpreh Kuli. Ajo ka nënvizuar se, tashmë kriza e ilaçeve ka marrë fund dhe nuk do të ketë më mungesa. Përsa i takon aparaturave mjekësore apo rehabilitimit të atyre, që kanë nevojë për restaurime deri tani nuk është bërë publik asnjë projekt. Kjo në kohën kur 1/3 e tyre janë jashtë funksionit. Sipas të dhënave të QSU-së, sistemi i urgjencave vitet e fundit ka qenë sistemi me më pak probleme përsa i takon medikamenteve. Deri në fund të këtij muaji, sipas afateve ligjore të cituara nga Ministria e Shëndetësisë dhe pas kërkesës së ministres Anila Godo, grosistët pritet të furnizojnë spitalet në të gjithë vendin me rreth 100 medikamente bazë.