Sejdiu dekretoi misionarët diplomatikë
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar dje personat e propozuar nga qeveria e Prishtinës si misionarët diplomatikë të përfaqësive të para, në vendet që e kanë njohur pavarësinë. Kështu, sapo të përgatiten përfaqësitë diplomatike, të gjithë të propozuarit do të mund të nisin detyrën e re me fuqi të plota, pas zyrtarizimit të tyre nga Presidenti i Republikës. “Në pajtim me nenin 84, pika 10 dhe 25 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Dekretet e Presidentit të Republikës së Kosovës për themelimin e Misioneve Diplomatike në nivel ambasade, si dhe pas propozimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e të ngarkuarve me punë, Presidenti i Republikës së Kosovës mori vendimin për miratimin e propozimit të Qeverisë për Emërim të të Ngarkuarve me Punë. Presidenti miratoi propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 28.08.2008, për të emëruar këta të ngarkuar me punë (charge d’affaires ad interim): Në Uashington - Avni Spahiu, në Londër - Muhamet Hamiti, në Paris -Muhamedin Kullashi, në Berlin - Vilson Mirdita, në Romë - Albert Prenkaj, në Bruksel - Ilir Dugolli, në Ankara - Bekim Sejdiu, në Vjenë - Sabri Kiçmari, në Bernë - Naim Mala dhe në Tiranë - Gazmend Pula”, thuhet në njoftimin zyrtar. Para gazetarëve Presidenti Sejdiu vlerësoi se institucionet kosovare kanë bërë një zgjedhje shumë të mirë të të ngarkuarve me punë dhe instruktoi Ministrinë e Jashtme të Kosovës të nisë sa më shpejt me zbatimin e këtij vendimi.